Maqedoni
Referendumi, Zaev: Hapim debat në fund të muajit
13.07.2018 17:53
Debati për mbajtjen e referendumit për emrin do të fillojë kah fundi i muajit....

Paralajmërimi vjen nga kryeministri, Zoran Zaev, i cili tha se atëherë edhe do të definohet data e mbajtjes së referendumit, karakteri i tij si dhe pyetja që do të parashtrohet. Zaev tha se gjithashtu do të punohet në formimin e KShZ-së.
“Fillimisht të rrumbullakohet formimi i KShZ-së dhe përbërja e KShZ-së nuk do të duhet të ketë kurrfarë lidhjesh me mbajtjen e referendumit. Kjo është një çështje logjike që erdhi pas dorëheqjeve në KShZ-së dhe bashkë me opozitën jemi dakorduar që opozita ta ketë postin e kryetarit dhe dy anëtarë të tjerë, ndërkaq partitë në pushtet të kenë katër anëtarë, gjegjësisht shumicën. Shpresoj të mos ketë kushte që do të bllokojnë procesin e referendumit. Pres që KShZ të formohet së shpejti. Pres që së bashku të definojmë edhe datën e mbajtjes së referendumit”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Pas referendumit të suksesshëm pasojnë ndryshimet kushtetuese me dy të tretat e votave në kuvend. Zaev shpreson që të gjithë deputetët të respektojnë vullnetin e shumicës së qytetarëve.
“Qëllimi ynë nuk është shumica parlamentare të ketë 80 deputetë. Unë besoj se parlamenti do të duhet të sigurojë 120 deputetë nëse vullneti i qytetarëve është pozitiv në referendum, pasi që ne ekzistojmë si politikanë që t’i shërbejmë qytetarët. Besoj se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe se do të krijohet shumicë e madhe e cila do ta përmbajë ardhmërinë e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së, drejt rritjes së standardeve ekonomike”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev nuk përjashtoi mundësinë për takim liderësh në rast se grupet e punës nuk arrijnë marrëveshje për formimin e KShZ-së dhe përgatitjen e kushteve për organizimin e referendumit.
MERAL ISMAILI
