Botë

Hahn i jep shembull Ramës: Shikoni Maqedoninë, zgjidhni çështjet me Greqinë. Rama: Opozita na pengon, na quan tradhtarë

13.07.2018 19:08

Komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, paralajmëron se Bashkimi Europian nuk do të pranojë asnjë shtet që ka çështje të pazgjidhura....

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me kryeministrin, Edi Rama, në Bruksel, Hahn mori si shembull pozitiv Maqedoninë lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit.
 
“BE nuk do të pranojë asnjë shtet që ka konflikte të pazgjidhura me vendet fqinje, kjo ka përshpejtuar negociata në disa vende, si në rastin e zgjidhjes së çështjes së emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë apo raste të tjera. Shqipëria është në negociata me Greqinë, nuk preferoj të bëj ndonjë koment tjetër, më vjen keq që ka pasur keqkuptime. Pas disa javësh jam i bindur që do të ketë rezultate”,- theksoi komisioneri për zgjeriminin e BE-së, Johannes Hahn.
 
Kryeministri, Edi Rama, tha se Shqipëria është pranë marrëveshjes me Greqinë. Ai atakoi opozitën në të dyja anët e kufirit kur deklaroi se ka tradhtar, por në momentin e finalizimit të marrëveshjes ata që kanë lëshuar akuza do të turpërohen.
 
“Situata sikur e shohim ne të gjithë është se ka tradhtar në qeverinë greke dhe atë shqiptare. E vërteta është që të dy palët po gjejnë zgjidhje në interesat më të mira të popujve të tyre. Gjendja e procesit është e tillë, kemi bërë mjaft progres. Ka çështje që mbulojnë 70 vite histori, nga ligji i luftës te kufiri detar, janë të vështira dhe ne po i përballojmë me frymën e hapjes, kemi bërë progres. Hije të së kaluarës kanë dalë sfond. Jam 100% i sigurt se kur të finalizohen rezultatet, kushdo që akuzon për tradhti nga të dy krahët do të turpërohet nga opinioni publik”,- theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Komisionari, Johanes Hahn, kërkoi që agjenda e integrimit të jetë prioritet kombëtar, duke ftuar palët në Shqipëri për bashkëpunim. 
 
LULJETA NDOKA