Maqedoni

Referendumi dhe partitë shqiptare: Lobimi “pro”i partive, sëbashku apo të ndara?

15.07.2018 13:40

Partitë politike shqiptare qofshin ato në pozitë apo në opozitë e kanë të qartë se do ta përkrahin referendumin për çështjen rreth emrit...

Partitë politike shqiptare qofshin ato në pozitë apo në opozitë e kanë të qartë se do ta përkrahin referendumin për çështjen rreth emrit, por nuk kanë konkretizuar pozitën se si do të lobojnë, deri tek votuesit e tyre, në mënyrë të ndarë, apo të bashkuar. 
 
Një dozë lehtësimi mund të jetë për partitë politike në pozitë, të cilët mund të dalin bashkarishtë dhe ti ftojnë qytetarët për ta përkrahur referendumin, por shumë e vështirë do të jetë për partitë opozitare.
 
Përderisa opozita maqedonase hë për hë ka qëndrim të prerë se është kundër referendumit, dy partite  shqiptare në opozitë Lëvizja BESA e Kasamit dhe Aleanca për Shqiptarët, akoma nuk kanë marrë qëndrim, por vetëm kanë ftuar se do ta përkrahin referendumin.
 
“Lëvizja Besa do të marrë pjesë aktive që referendumi të jetë i suksesshëm, por për formën dhe mënyrën e aktiviteteve, sigurishtë se do të vendosin organet partiake. Interesi jetik i shqiptarëve, por edhe i qytetarëve të tjerë, është që referendum të jetë i suksesshëm, dhe të mos humbet kjo shansë historike që i është dhënë Maqedonisë“, shprehet nënkryetari i Lëvizjes BESA, Abdush  Demiri.
 
Nga partia e Zijadin Selës, kanë kërkuar që Qeveria ta përfshijë në procesin e organizimit të referendumit edhe opozitën, me qëllim të mos përsëritën gabimet e të kaluarës.
 
“Sa i përket referendumit ASH ka treguar gatishmëri për ta përkrahuar atë, dhe ne si subjekt politik pritet të marrim një vendim përmes organeve të partisë. Megjithatë mendojmë se Qeveria është mirë që ta përfshije opozitën shqiptare në këtë process të përgatitjes së referendumit, sepse mendojmë se është shumë e rëndësishme pyetja që do ti drejtohet qytetarëve. Në të kaluarën Qeveria nuk ka përfshi opozitën shqiptare në përpilimin e marrëveshjes dhe tekstit të marëveshjes, ku janë identifikuar disa dilema siq është çështja e identitetit shqiptarë, dhe gjuhës shqipe“, shprehet zëdhënësi i ASH-së, Flakron Bexheti.
 
Kurse nga tre partitë shqiptarë të cilat janë pjesë e shumicës Parlamentare, kanë pohuar se janë pro referendumit, dhe do ta mbështesin fuqishëm atë.
 
Por për hollësit se si do të ndodhë ajo, do të duhet që të ulen së bashku edhe me Kryeministrin Zoran Zaev dhe ti definojnë detajet. 
 
FITIM KRYEZIU