Maqedoni

92 asistentë personalë do të jenë në shërbim të personave me pengesa

16.07.2018 15:50

Në kuadër të planit operativ për masat e punësimit për vitin 2018, në fazën e parë të pilot projektit 92 asistentë personalë...

Në kuadër të planit operativ për masat e punësimit për vitin 2018, në fazën e parë të pilot projektit 92 asistentë personalë u pajisën me certifikata dhe do të jenë në shërbim të personave me pengesa.
 
Asistentët personalë do të kryejnë funksionin e tyre në 7 qytete, Shkup, Strumicë, Negotinë, Manastir, Gostivar, Kumanovë dhe Strugë. Ata do të jenë të angazhuar individualisht me personat me pengesa në kryerjen e aktiviteteve ditore, mirëmbajtjen e higjienës dhe nevojave të tjera.
 
Qendra për Punë Sociale është bartëse për ofrimin e asistencës personale, ndërsa nga buxheti i shtetit për këtë vit janë ndarë 17 milionë denarë.
 
“Këto janë hapat e parë të arritjes së besimit mes asistentëve personalë dhe personave me pengesa në shtetin tonë. Në të ardhmen do të rritet numri i kërkesave për asistentë personalë. Ne jemi në zhvillim të planit të ri operativ. Në vitin 2019 do të jemi në kontinuitet të edukimit të më shumë asistentëve personalë”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.  
 
“Të gatshëm jemi që tani që në vitin 2019 të vazhdojmë me këtë lloj trajnimi, si pjesë e masave dhe projekteve për punësim, që do të vijojnë në planin operativ për vitin 2019”,- theksoi drejtoresha e Agjencisë për Punësim në Maqedoni, Biljana Jovanovska.
 
“Asistentët personalë janë këtu për të na e lehtësuar mënyrën e jetesës, të jemi më konkurrentë në tregun e punës, të jemi më të pavarur dhe më të socializuar dhe të jemi më të përfshirë në proceset shoqërore”,- tha shfrytëzuesja e asistencës personale, Brankica Dimitrovska.
 
Në konkursin e hapur në muajin mars janë paraqitur 254 të papunë për 100 pozita të lira për asistentë personalë të punës, ndërsa me certifikatë janë pajisur 92 persona.
 
Për vendet e paplotësuara, është hapur konkurs i ri, i njëjti është i hapur deri më datën 23 të muajit korrik. 
 
ARLINDA BAFTIU