Doganat mbrojtëse për prodhimet bujqësore, Bekteshi: nuk kemi njoftim nga pala e Kosovës

16.07.2018 16:21

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka njoftuar sot se deri në këto momente nuk ka asnjë njoftim nga pala e Kosovës....

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka njoftuar sot se deri në këto momente nuk ka asnjë njoftim nga pala e Kosovës për vendosjen e doganave mbrojtëse për prodhimet ushqimore dhe ato bujqësore të cilat importohen nga vendet e tjera. Qeveria e Maqedonisë mund të marrë qëndrim konform kërkesave të palës kosovare, vetëm nëse kjo e fundit bën ndonjë njoftim zyrtar, i cili është në një linjë me kërkesat siç i parashikon marrëveshja e CEFTA-s, ka thënë ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Këtë deklaratë ministri  Bekteshi e bëri një ditë pas publikimit të vendimit të marrë nga ana e qeverisë së Kosovës e të publikuar nga ministri i tregtisë dhe industrisë i Kosovës, Bajram Hasani, se nga dita e nesërme të gjitha llojet e pemëve dhe perimeve të cilat hyjnë në Kosovë nga shtetet e tjera si masë e përkohshme, do të përdoret  pagesa 30% më shumë e vlerës doganore se sa në të kaluarën. 

“Çdo shtet i cili parasheh të marrë masa konkrete rreth mbrojtjes së produkteve të tij është i obliguar të informojë shtetet tjera dhe deri në momentin që po flasim ne nuk kemi marrë asnjë paralajmërim në formë të shkruar, por njëkohësisht as nuk kemi qenë të informuar nga pala kosovare. Në momentin që ne do të marrim informimin nga ana e tyre që ata vendosin masa të tilla ndaj nesh, atëherë ne si Qeveri e Maqedonisë, Ministri e Ekonomisë në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe me doganat do të analizojmë të gjitha mundësitë dhe do të dalim me qëndrim konkret”,- deklaroi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.