Hahn të martën viziton Maqedoninë, hap skriningun për fillimin e bisedimeve me BE-në

16.07.2018 17:21

Komisari për zgjerim i BE-së, Johanes Han, nesër do të qëndrojë në Maqedoni....

Komisari për zgjerim i BE-së, Johanes Han, nesër do të qëndrojë në Maqedoni, me çka fillon procesi i skriningut në vend për fillimin e negociatave për anëtarësimin në Union, njofton “TVM2”.

Sipas agjendës, komisari Han do të ketë takim me kryeministrin Zaev dhe më pas edhe me kryetarin e parlamentit, Talat Xhaferin, dhe me liderin e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoskin.

Han pritet që të mbajë fjalim para anëtarëve të Këshillit Kombëtar për Eurointegrim në Kuvend, ndërsa pasdite do të udhëtojë për në Tiranë. Krahas vizitave dhe agjendave të parapara, proceset eurointegruese në Maqedoni vazhdojnë të gjejnë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.

STOLTENBERG: MAQEDONIA, ME HAPA DREJT SË ARDHMES SË SIGURT

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thekson edhe një herë rëndësinë e proceseve si një hap i madh drejt një të ardhme më të ndritshme për Maqedoninë. Edhe përkundër sfidave të herëpashershme që Maqedonisë i kanë dalë përballë në rrugëtimin e saj, nuk ka munguar alternativa për tejkalimin e problemeve. Stoltenberg ka përmendur nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme që deri më tani i ka bërë Maqedonia, duke filluar nga Marrëveshja e Ohrit, e cila u mbështet ndërkombëtarisht, u pranua dhe u  implementua nga Qeveria në Maqedoni, më pas marrëveshja me Bullgarinë, dhe marrëveshja historike me palën greke për emrin.

“Anëtarësimi në NATO do t’i japë vendit tuaj një zë të barabartë në diskutimet tona, një votë të barabartë në vendimet tona dhe sigurinë që vjen nga të qenit pjesë e Aleancës më të suksesshme ushtarake në botë. Kjo do të thotë që ka 29 vende të tjera të zotuara për t’u mbrojtur ju dhe sovranitetin tuaj kombëtar kundër çdo agresori”,- ka shkruar Stoltenberg.

KURC: REZULTATI ARRIHET ME NEGOCIATA DHE DIPLOMACI

Kryeministri austriak, Sebastijan Kurc, në një intervistë për gazetën greke “Katimerini”, ka përshëndetur marrëveshjen për emrin, duke e potencuar madje edhe përkrahjen austriake për perspektiven evropiane të vendeve të Ballkanit.

“Kjo tregon se negociatat e vazhdueshme dhe diplomacia sjellin rezultat. Për Austrinë rajoni i Ballkanit Perëndimor është prioritet bazë në politikën tonë të jashtme dhe evropiane, por edhe të kryesimit tonë me BE-në. E përkrahim linjën e komisarit për zgjerim, Johanes Han. Sigurimi i rrugës së ndershme dhe të besueshme drejt BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor u shërben interesave tona në nivel sigurie, në nivelin politik dhe atë ekonomik”,- thotë Kurc.

BEJLI: KENI SHANSIN PËR TË HYRË NË NATO, SHFRYTËZOJENI

Ambasadori i ShBA-së, Xhes Bejli, në marrëveshjen e Prespës shikon shans për qytetarët të zgjedhin të ardhme më të mirë. ShBA-të, sipas tij, qëndrojnë fuqishëm pas ftesës së NATO-s, edhe pse fjalën e fundit e ka Senati. Ambasadori Bejli thërret në debat të hapur në vendin e vlerave të marrëveshjes me Greqinë, duke porositur se personalisht nuk sheh shans më të mirë për vendin dekadën e ardhshme.

“Së pari dua të theksoj se sa monumental është ky moment për Maqedoninë. Pas 26 vjetësh kërkesë të hyni në NATO dhe BE, qytetarët tani kanë mundësinë të bëjnë këtë. Nëse qytetarët e Maqedonisë e përkrahin shkuarjen përpara me marrëveshjen e Prespës, ata do të zgjedhin të ardhmen me siguri më të madhe, stabilitetin dhe përparimin në NATO, si dhe vendin në tavolinën e aleancës më të suksesshme të sigurisë në botë”,- ka thënë Bejli.

Ndërkombëtarët disa herë kanë ripërsëritur se marrëveshja e Prespës si marrëveshje kompromisi paraqet zgjidhjen më të mirë për qytetarët e të dyja vendeve si një shans i mirë, i cili vështirë e ka për t’u përsëritur më. (Merita Gashi, TVM2)