Debat publik, plani për implementimin e Konventës së Stambollit
Për gratë viktima të dhunës dhe dhunës në familje....

Për gratë viktima të dhunës dhe dhunës në familje, në pesë vitet e ardhshme duhet të sigurohet një pako minimale jo vetëm në Shkup, por në të gjitha rajonet e vendit, u tha në debatin e organizuar në kuvend nga Klubi i deputeteve, lidhur me planin aksionar, me implementimin e Konventës së Stambollit, e cila ka të bëjë me pengimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave.
Ministrja e punës dhe politikës sociale, Milla Carovska, sqaroi se plani aksional ka tre qëllime kryesore: harmonizimin e ligjeve ekzistuese me standardet e konventës, aktivitetet për mbrojtje dhe aktivitetet preventive.
"Në rajonin e Shkupit, me përkrahje dhe ndihmën e organizatave qytetare, por me financim nga buxheti, u krijua rrethi i parë i shërbimeve për të gjitha format e dhunës. Nëse themi se në Shkup ka njëfarë përgatitje, kjo nuk do të thotë se mjafton, kjo është për fillim dhe kjo u arrit për një vit. Mendoj se në pesë vitet e ardhshme në çdo rajon duhet të ketë të paktën një pako të shërbimeve",- tha Milla Carovska nga MPPS.
Koordinatorja e Klubit të deputeteve, Gjylimsere Kasapi, theksoi nevojën për masa institucionale për mbrojtjen e grave dhe vajzave viktima të dhunës.
"Gratë dhe vajzat shpesh janë të ekspozuara ndaj formave të ndryshme të dhunës, siç është dhuna familjare, dhuna seksuale, martesa të dhunshme, vepra penale të kryera në emër të ashtuquajturit nder, prandaj janë më se të domosdoshme masat institucionale",- theksoi koordinatorja e Klubit të deputetëve, Gjylimsere Kasapi.
Sipas hulumtimeve të fundit, çdo e treta grua në vend është viktimë e dhunës, u tha në debat. (Gyltene Sinani, TVM2)
