Tetovë, në rrjedhë e sipër rikonstruimi i çerdhes “Rinia”

17.07.2018 15:03

Pesë milion denarë do të investohen për rikonstruimin e tërësishëm të çerdhes...

Pesë milion denarë do të investohen për rikonstruimin e tërësishëm të çerdhes “Rinia” një dhe dy, në Tetovë.

Drejtoresha e kësaj çerdhe, Ramije Dauti, është shprehur se ky investim është i pari pas ndërtimit të objekteve në vitet e 70-ta. Ajo njëherit vlerëson se ky investim do të rrisë edhe sigurinë e fëmijëve, por edhe do të kenë më shumë hapësira dhe ambiente më të përshtatshme ku fëmijët do të mund të argëtohen.

“Do të jetë ky një renovim total i këtij objekti, dy objekteve Tetekës një dhe dy, bazohemi në atë që do të ketë ndërrim të ndriçimit, kanalizimit, ujësjellësit, gjithashtu hapësirat që i kemi këtu, të gjitha do të kenë një pamje tjetër. Renovime kemi pasur çdo vit nga pakë, po këtë radhë vendosëm që të rregullojmë tërësisht objektin, pasi kjo nuk është bërë ashtu siç duhet nga koha kur janë ndërtuar Tetekset. Njëshi është ndërtuar në vitin 1977, ndërsa dyshi në 1973 dhe prej atëherë nuk kemi pasur kështu lloj renovimi”,- deklaroi drejtoresha e çerdhes “Rinia” – Tetovë, Ramije Dauti.

ARIFI: PO PUNOHET NË DISA OBJEKTE ARSIMORE

Punimet e çerdhes i inspektoi edhe kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, e cila njëherit theksoi se në këtë periudhë nuk mungojnë investimet edhe nëpër institucionet tjera arsimore.

“Gjatë kësaj periudhe të verës, meqenëse kemi punë intensive edhe në shumë institucione tjera arsimore, i është dhënë një rëndësi e madhe pikërisht krijimit dhe rritjes së standardëve me qëllim që të mundemi të kemi vende sa më të mira për sa u përket fëmijëve. Investimi që behët sot është investim prej pesë milion denarësh dhe që përfshin investim prej mjeteve vetanake”,- tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Arifi po ashtu tha se po punohet edhe në rregullimin e qendrave ditore që priten të hapen në dy fshatrat e malësisë së Tetovës, si dhe është dorëzuar projekti i kompletuar në qeveri për ndërtimin e një çerdhe të re që pritet të ndërtohet tek Shkolla “Kirili dhe Metodi”. (Visar Sadiki, TVM2)