Maqedoni
Hahn mesazh Xhaferit: parlamenti kyç në procesin “screening”
17.07.2018 15:33
Eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, në kuadër të vizitës së tij në Shkup ka realizuar takim edhe me kryeparlamentarin, Talat Xhaferin...

Eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, në kuadër të vizitës së tij në Shkup ka realizuar takim edhe me kryeparlamentarin, Talat Xhaferin, që padyshim temë e bisedimeve ka qenë procesi i eurointegrimit të Maqedonisë, respektivisht fillimi i fazës së ashtuquajtur proces “skrining”.
“Me vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e bisedimeve në qershor të vitit të ardhshëm, është treguar se anëtarët e BE-së kanë përcjellë mesazh të qartë se vlerësojnë hapat që ka realizuar Maqedonia në reforma dhe në politikën e fqinjësisë së mirë”,- ka deklaruar kryeparlamentari Xhaferi.
Ai ka siguruar eurokomisarin Hahn se kuvendi në tërësi është i përqendruar në vazhdimin e mëtutjeshëm të arritjes së reformave dhe të japë rezultate konkrete.
Nga kabineti i Xhaferit thonë se eurokomisari Hahn ka përshëndetur rezultatin e arritur ndërsa ka ritheksuar përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare për Maqedoninë drejt integrimit euroatlantik.
Hahn ka vënë theks të veçantë në rolin e parlamentit në procesin e harmonizimit të ligjeve vendore me ato evropiane, apo në procesin e skriningut.
Hahn dhe Xhaferi kanë spikatur gjithashtu nevojën e fokusimit në arritjen e obligimeve në të gjitha fushat, të cilat Maqedonia duhet t’i realizojë, kushte që kanë dalë nga marrëveshja e Prespës, njëherit që janë edhe kërkesa të BE-së dhe NATO-s.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
