Maqedoni
Qeveria: ndryshime në Kodin Zgjedhor, anëtarët e KShZ-së të zgjidhen me 61 vota
17.07.2018 15:55
Qeveria ka propozuar ndryshime të Kodit Zgjedhor me të cilat synohet shfuqizimi i nenit i cili parasheh që anëtarët e KShZ-së...

Qeveria ka propozuar ndryshime të Kodit Zgjedhor me të cilat synohet shfuqizimi i nenit i cili parasheh që anëtarët e KShZ-së të zgjidhen me dy të tretat e votave, duke krijuar mundësi që ato të zgjidhen me 61 vota në kuvend.
Siç ka sqaruar zëdhënësi qeveritar, Mile Boshnjakovski, nisma e qeverisë vjen pasi procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KShZ-së tashmë disa javë ka ngecur në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime për shkak të bllokadës nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.
“Me ndryshimet do të mundësojmë zgjedhjen e KShZ-së përkundër bllokadës politike që ekziston në këtë moment nga opozita. Ndryshimet kanë të bëjnë me nenin 21. Mënyra me të cilën po përballemi me këtë bllokadë për zgjedhjen e KShZ-së është dukuri që është evidentuar në disa raporte të Komisionit të Venecias. Në këtë raport të Komisionit të Venecias qartë thuhet se nevoja për zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të ndonjë trupi dhe bartës funksionesh me shumicë të kualifikuar nuk mund të shndërrohet në instrument kundërproduktiv për bllokimin e proceseve për formimin e institucioneve kyçe të sistemit, pasi institucionet që nuk funksionojnë nuk e realizojnë qëllimin kushtetues dhe e varrosin demokracinë”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Mendimi i Komisionit të Venecias është marrë për bazë gjatë propozimit të ndryshimeve.
Njëherit Boshnjakovski theksoi se qeveria shpreson në takimin e liderëve, opozita do të dëshmojë vullnet dhe konstruktivitet dhe do të marrë qëndrim tjetër nga bllokadat, duke i përkrahur qëllimet strategjike të qytetarëve të vendit.
GYLTENE SINANI
