Maqedoni

Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, anëtarët e KShZ-së do të zgjidhen me 61 vota

17.07.2018 17:04

Me 62 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi Republikan votoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilin e propozoi qeveria...

Sipas këtyre ndryshimeve ligjore, do të mundësohet që anëtarët, kryetarin dhe nënkryetarët e KShZ-së të zgjidhen me 61 deputetë, në vend që me shumicë prej dy të tretave.
 
Përfaqësuesi i qeverisë paraprakisht sqaroi para deputetëve se kjo bëhet me qëllim që të zhbllokohet zgjedhja e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. 
 
“Ky vendim edhe përskaj qëllimit të mirë kur është bërë dhe votuar në Kuvend, nuk duhet të shndërrohet në të kundërtën e saj, gjegjësisht t’i mundësojë edhe opozitës parlamentare që tërësisht të bllokojë procesin e sjelljes së vendimeve, gjegjësisht votimin e kryetarit, nënkryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor”,- deklaroi zëvendësministri i drejtësisë, Oliver Ristovski.
 
Votimi u bë pa prezencë të opozitës, pasi paraprakisht propozimin për ndryshime në Ligjin Zgjedhor e kundërshtuan ashpër.
 
VMRO-DPMNE theksojnë se shumica në mënyrë jodemokratike dhe pa konsultime me opozitën dëshiron të bëjë ndryshime nëpërmjet procedurave që nuk kanë qenë praktikë më herët.   
 
“Asnjëherë në histori të Maqedonisë nuk është ndërruar dhe nuk është sjellë Ligji Zgjedhor pa konsultime dhe pa mbështetje të opozitës. Është me të vërtetë shqetësuese për demokracinë në Maqedoni dhe për qytetarët e Maqedonisë të cilët besojnë në demokraci dhe në integrimet euroatlantike të vendit tonë”,- tha Dragan Danev nga VMRO – DPMNE.
 
Ndryshimet ligjore në Kodin Zgjedhor do të hyjnë në fuqi në ditën kur do të shpallen në Gazetën Zyrtare. 
 
ERSAN PAJAZITI