Maqedoni
Zaev: NATO, alternativa e vetme për vendin. Savidis: nuk kam ndihmuar protestat në Shkup e Athinë. Mediat ndërkombëtare: me para ruse u mbështetën protestat në Shkup e Athinë
17.07.2018 17:20
Kreu i ekzekutivit, Zoran Zaev, ka paralajmëruar Federatën Ruse se duhet të vetëdijesohet që për Republikën e Maqedonisë...

Kreu i ekzekutivit, Zoran Zaev, ka paralajmëruar Federatën Ruse se duhet të vetëdijesohet që për Republikën e Maqedonisë nuk ka alternativë tjetër përpos anëtarësimit të saj fuqiplotë në strukturat e aleancës ushtarake të NATO-s.
Kryeministri Zaev gjithashtu ka theksuar se Qeveria e Maqedonisë me këtë akt nuk është kundër bashkëpunimit me Rusinë, madje është edhe për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Unë vetëm komentoj fakte dhe deklarata të cilat kanë arritur deri tek unë, përmes raporteve për të cilat kam dijeni, me qëllim përfundimtar të ndërprerjes së miqësisë të cilën po e ndërtojmë. Megjithatë, të gjithë e dinë, e di edhe Federata Ruse, se nuk ka alternativë tjetër përpos anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimit Europian. Ne jemi shtet i vogël, me miq dhe pa armiqësi, dhe gjithsesi kemi shanse më të mëdha për perspektivat tona”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Deklarata e kryeministri Zaev vjen një ditë pas reagimit të Ambasadës Ruse në Maqedoni lidhur me prononcimet e kryeministrit Zaev që protestat e para disa ditëve në Maqedoni janë mbështetur financiarisht nga ana e disa biznesmenëve rusë.
Në ndërkohë përmes një komunikate zyrtare, ndaj informacioneve të këtilla ka reaguar biznesmeni grek me origjinë ruse, Ivan Savidis.
Ai përgënjeshtron informacionet e liferuara se liderëve të caktuar opozitarë si dhe tifozëve në Maqedoni u ka dhënë para në vlerë prej 300 mijë eurosh për organizimin e protestave të dhunshme kundër marrëveshjes për emrin me Greqinë dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
Sanidis i ka vlerësuar si spekulime paralajmërimet për përfshirjen e tij në protestat e dhunshme në Maqedoni, duke paralajmëruar madje edhe padi për mediat të cilat kanë publikuar këtë informacion.
Nga ana tjetër sot, Agjencia greke “Athens Voice” në një analizë të publikuar për marrëveshjen e arritur mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin, ka shkruar edhe për dëbimin e dy diplomatëve rusë nga Greqia si dhe dyshimet për involvimin e biznesmenëve, si dhe personave të tjerë të involvuar në drejtim të dështimit të marrëveshjes greko-maqedonase për zgjidhjen e emrit.
Në analizën mes tjerash thuhet se ky është një tentim i kamotshëm i qarqeve ruse, por që ka filluar të komplikohet në janar të vitin 2018, me fillimin e procesit për zgjidhjen e kontestit greko-maqedonas për emrin, me prononcimet kundër të ministrit të jashtëm rus, Sergej Lavrov.
Intervenimi i Moskës zyrtare ka qenë në dy drejtime, tek grupet e djathta nacionaliste ekstreme greke dhe tek partia e VMRO-DPMNE-së, me aktivizimin e kundërshtarëve të marrëveshjes , të cilën e cilëson si dorë aktive e diplomacisë ruse qysh në shekullin 19.
Qëllimi sipas portalit ka qenë që në mënyrë të detajuar të jenë të kontrolluara financat, kontaktet si dhe lëvizjet e agjentëve Rus në Greqi, komunikimet e tyre me nëntokën , organizatat e ndryshme si dhe lidhjet me aktivitete të caktuara politike, ekonomike dhe shoqërore.
Portali përkujton se me qarkullimin e informacioneve të caktuara në opinion nga ana e shërbimeve Greke, është mundësuar zbardhja e tentimeve e “vendit të tretë” e cila ka shtrirë veprimin e saj në Greqi por dhe më gjerë në rajon.
Qëllimet e shërbimeve të inteligjencës kanë qenë të fokusuara tek faktori rus, dhe ndikimi i tij në Greqinë e Veriut mes biznes grupeve dhe Mitropolitit të Kishës Ortodokse greke të cilat kanë qenë nën kontrollin e Rusisë.
Nën thjerrëz është vënë edhe blerja e portit të Selanikut , prej ku fillon zgjidhja e nyjës. Shërbimet greke disponojnë me të dhëna edhe për vlerën e parave të dedikuara për prishjen e marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, thuhet në analizë.
Gazeta prestigjioze amerikane “Financial Times” duke u mbështetur në informacione nga zyrtarë të lartë të Greqisë ka shkruar se Rusia ka tentuar që të nxisë ndërprerjen e bisedimeve për marrëveshjen.
MERITA GASHI
