Maqedoni
Procesi i skriningut, Han: bashkohuni, s’ka kohë për të humbur; Vajgëll: s’ka shans të dytë për Maqedoninë; Popovski: nevojitet skrining i institucioneve; Osmani: të gjithë ta ndihmojmë procesin
17.07.2018 17:35
Zyrtarët europianë drejtuan porosi të prerë parlamentarëve me nisjen e procesit të skriningut...

Eurokomisioneri, Johanes Han, tha që skriningu t’i bashkojë forcat politike e shoqërore, pasi Maqedonia nuk ka kohë për të pritur. Han siguroi për mbështetjen e evropiane, por rikujtoi rëndësinë e referendumit të suksesshëm.
“Me rëndësi është inkluziviteti dhe të punohet në prioritetet strategjike. Ju inkurajojë të jeni të koncentruar dhe të bashkuar. Prioritet do të duhet t’i jepet luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në strukturat e sigurisë, kundërzbulimit dhe administratës publike. Referendumi do të jetë momenti i rëndësishëm për të ardhmen. Ftoj të gjithë të marrin pjesë, e sidomos të rinjtë. Mund të konsideroni në mbështetjen tonë. T’i rrekemi punës. Nuk ka kohë për të humbur”,- deklaroi eurokomisioneri, Johanes Han.
Raportuesi për Maqedoninë, eurodeputeti, Ivo Vajgëll, i drejtpërdrejtë se Maqedonisë nuk do t’i jepet shans i dytë.
“Anëtarësimi në BE dhe NATO janë shans historik për Maqedoninë. Nuk do të ketë shans të dytë. Nuk do të ketë shans të dytë për t’u zgjidhur çështjet e hapura që rëndonin procesin drejt BE-së”,- theksoi raportuesi për Maqedoninë, Ivo Vajgëll.
Kryesuesi i Këshilli Nacional për Eurointegrime, Nikolla Popovski, kërkoi ndërrim të mentalitetit, të bëhet skrining i institucioneve si dhe aktivizim të opozitës.
“Është e lehtë të rini në karrige dhe të thoni se çfarë nuk bën. Nëse jeni opozitë serioze do të duhet të thoni se çfarë duhet të bëhet dhe të ofroni zgjidhje. Gjashtë muajt e ardhshëm në vend që të shtypim ligje, t’i përkushtohemi skriningut të kapacitetit të institucioneve. Nevojitet ndryshim i mentalitetit”,- u shpreh kryetari i Këshilli Nacional për Eurointegrime, Nikolla Popovski.
Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, tha se tani është momenti i pakthyeshëm që të gjitha forcat në shoqëri të reflektojnë mbi procesin.
“Nuk kemi më kohë për të humbur, nuk kemi më kohë për gjenerata të humbura. Të gjithë meritojmë ardhmëri më të mirë, ardhmëri europiane. Momenti është tani dhe përgjegjësia është e jona. Nuk do të kemi mundësi të dytë për përshtypje të parë”,- theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Nga LSDM kërkuan që opozita të mos shpërndajë leksione kundër nevojës së BE-së, ndërkaq gjitha partitë tjera u shprehën për kapjen e momentit historik për t’iu bashkangjitur klubit euroatlantik.
MERAL ISMAILI
