Maqedoni
Nesër takim liderësh për referendumin, Zaev:t’i tejkalojmë dallimet. VMRO-DPMNE ka zgjedhur të heshtë. Han thirrje partive dhe qytetarëve: mbështesni referendumin, është për të mirën e vendit
17.07.2018 17:49
Nesër mbrëma do të mbahet takimi i ri i liderëve për tejkalimin e dallimeve mes pushtetit dhe opozitës për përshpejtimin e procesit...

Nesër mbrëma do të mbahet takimi i ri i liderëve për tejkalimin e dallimeve mes pushtetit dhe opozitës për përshpejtimin e procesit, përgatitjen dhe realizimin e suksesshëm të referendumit për çështjen e emrit.
Kryeministri, Zoran Zaev, në takimin me komisarin, Johanes Han, në Shkup, paralajmëroi se liderët politikë do të tentojnë të gjejnë zgjidhje për formimin e KShZ-së me konsensus, për miratimin e Ligjit për financimin e partive dhe për kërkesën e fundit të VMRO-së për qeveri teknike sipas marrëveshjes së Përzhinës.
“Kemi informacione se shefi i opozitës Mickovski, të enjten do të udhëtojë jashtë vendit dhe për këtë arsye sot do t’i fillojmë konsultimet për të thirrur takim liderësh, i cili pritet të mbahet të mërkurën pasdite ose në mbrëmje, që ka për qëllim bashkërisht t’i përshpejtojë proceset për përgatitjen dhe realizimin e referendumit për çështjen e emrit”,- deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Nga VMRO-DPMNE ende nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e paralajmëruar të liderëve.
Nga ana tjetër, komisari evropian, Johanes Han, fton liderët politikë që sa më parë t’i tejkalojnë këto dallime dhe njëhërit kërkon nga qytetarët që pamëdyshje të mbështesin referendumin për emrin, sepse vetëm në këtë mënyrë garantohet e ardhmja europiane e këtij vendi.
“I ftoj palët e përfshira që këtë ta pranojnë si qëllim mbipartiak dhe në mënyrë konstruktive të vendosin. Kjo do të sjellë dobi reale për popullin. Perspektiva evropiane i përmirëson kushtet për jetesë të qytetarëve dhe ajo është më e rëndësishmja, sepse nëse bojkotohet referendumi, për Maqedoninë kjo do të jetë diçka e ngjashme, siç ishte Brexit për Britaninë e Madhe”,- tha komisari europian, Johanes Han.
Përndryshe, realizimi i referendumit të suksesshëm dhe përmbyllja e marrëveshjes me Greqinë, e cila përfshin edhe ndryshimet kushtetuese për emrin e ri të vendit deri në fund të këtij viti, janë kyçe për rrugën euroatlantike të vendit.
Deri tani nuk është caktuar datë e saktë për mbajtjen e referendumit, por sipas afateve ligjore, nëse Kuvendi voton deri në fund të këtij muaji, atëherë referendumi mund të mbahet në fund të shtatorit ose në fillim të tetorit.
REXHEP QAMILI
