Maqedoni
Filipçe: mortaliteti tek foshnjat shënon rënie. Ka mungesë kuadrosh dhe aparaturash
18.07.2018 15:05
Vdekshmëria te foshnjat e porsalindura është zvogëluar dukshëm, ndërsa statistikat tregojnë se ka ende vend për përmirësim...

Vdekshmëria te foshnjat e porsalindura është zvogëluar dukshëm, ndërsa statistikat tregojnë se ka ende vend për përmirësim, me çka pritet të zvogëlohet edhe më shumë vdekshmëria e foshnjave në të ardhmen, u shpreh me tone optimizmi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Përveç pajisjeve të vjetruara në të gjitha maternitetet e vendit, problem tjetër është edhe mungesa e kuadrit mjekësor, thotë ministri Filipçe.
“Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, vdekshmëria tek foshnjat e porsalindura ka shënuar rënie nga 24,4% në 18,7%. Maqedonia ka shënuar rekord në rajon për mbijetesën tek foshnjat, e lindura në javën e 23. Gjatë kësaj jave, përfaqësues të “Projekt HOP” do të bëjnë vlerësim të kapaciteteve ekzistuese në disa maternitetet me qëllim të rritjes së kapaciteteve me aparatura dhe me mungese të gjinekologëve”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Ne punojmë me projekte të ndryshme në Maqedoni, tani dy vite e gjysmë kemi pasur disa projekte në nëntorin e vitit të kaluar, për zvogëlimin e mortalitetit dhe morbiditetit në Maqedoni te fëmijët e porsalindur. Kemi ardhur këtu që të takohemi edhe me organizata të tjera si p.sh. UNICEF, të cilat edhe ato e ndajnë të njëjtin qëllim dhe përvojë si ne”,- theksoi Zhan Van Berg nga “Projekt Hope”.
Përmes “Projekt Hope” do të donohen pajisje të reja në vlerë prej 200.000 dollarëve amerikane për Spitalin Klinik në Tetovë, Spitalin e Përgjithshëm në Kumanovë, në Klinikën e Fëmijëve në Shkup si dhe në Spitalin gjinekologjik dhe akusherikë “Nënë Tereza” në Çair.
Problemi me kuadrin deficitar, sipas Filipçes, do të zgjidhet përmes arsimimit dhe specializimit të mjekëve në Gjermani dhe Holandë, me qëllim që të njëjtit të trajnohen për intervenime kirurgjikale të cilat akoma nuk janë kryer në klinikat e Maqedonisë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
