BDI, solemnitet për ftesën për anëtarësim në NATO

18.07.2018 15:55

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk do të kontribuonin në zgjidhjen e dallimeve....

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk do të kontribuonin në zgjidhjen e dallimeve që kanë partitë, vlerëson lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Sipas tij, tjetër alternativë pos zgjidhjes së emrit dhe anëtarësimit në strukturat euro-atlantike të vendit  nuk ka, andaj ftoi opozitën që të kontribuojë në tejkalimin e dallimeve. Ai pret që në takimin e liderëve këto pika të shqyrtohen dhe të arrihet një gjuhë e përbashkët.

“Nuk mendoj që zgjedhjet janë zgjidhje. Aktualisht në Maqedoni ka një dialog, ka takime të shumta nga forcat politike në vend, në drejtim të duhur. Tash për tash gjërat janë duke shkuar mirë, do të shohim sonte gatishmërinë, por edhe pikëpamjet e opozitës. Sigurisht që opozita duhet të jetë pjesë e zgjidhjes”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

AHMETI: EMRI DHE NATO, ALTERNATIVA E VETME PËR RM-NË, OPOZITA DUHET TË JETË PJESË E ZGJIDHJES

Të gjitha forcat politike t’i lënë anash politikat e tyre partiake dhe të gjejnë energji që t’i afrojnë qëndrimet me qëllim të realizimit të marrëveshjes me palën greke, pasi anëtarësimi i plotë i Maqedonisë në NATO do të thotë stabilitet dhe zhvillim ekonomik, tha Ahmeti. 

“Këto janë dy çështje shumë të mëdha për të pasur paqe, stabilitet, siguri, zhvillim ekonomik dhe ardhmëri dhe përpara këtyre qëllimeve nuk duhet vënë qëllime të politikave ditore, apo të politikave parciale partiake”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Këto prononcime Ahmeti i bëri në koktejin e organizuar me rastin e ftesës në NATO. Në këtë organizim u prezantua edhe një video – material në të cilin Ahmeti tha se ëndrra e tij por edhe e shqiptarëve për anëtarësim në NATO përfundimisht bëhet realitet. Ahmeti në këtë video-material nuk la pa përshëndetur edhe të gjithë bashkëpunëtorët që kanë ndihmuar Maqedoninë në këtë aspekt. (Ersan Pajaziti, TVM2)