Arsovski për ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Nuk ka keqpërdorime të mekanizmave demokratike
Miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor me procedurë të përshpejtuar është në përputhje me dispozitat ligjore....

Miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor me procedurë të përshpejtuar është në përputhje me dispozitat ligjore, me afatet në të cilat ndodhet vendi për ta organizuar referendumin në vjeshtë, i cili garanton të ardhmen europiane dhe nuk ka keqpërdorime të mekanizmave demokratike, vlerëson për TVM-2 analisti politik, Petar Arsovski. Sipas tij, në këtë situatë të jashtëzakonshme, me obstruksionet e opozitës të cilat pengojnë përafrimin e vendit në BE dhe NATO, është e arsyeshme që të gjinden zgjidhje kreative.
“Në aspektin ligjor nuk është shkelur procedura për miratimin e nevojës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Fakt është se ulet konsensusi politik për përzgjedhjen e përbërjes së re të KShZ-së, e cila vlente deri tani, por duhet të kemi parasysh se këto ndryshime më herët ishin me kërkesë të VMRO-DPMNE-së, e tani ata nuk duan të respektojnë të njëjtën procedurë të cilën e kishin kërkuar. Mendoj se shumica parlamentare por dhe faktori ndërkombëtar nuk do ta lejojë këtë, ndërsa vlerësoj se dialogu politik me kalimin e kohës do të përmirësohet në të ardhmen”,- deklaroi analisti politik, Petar Arsovski.
REFERENDUMI ËSHTË INTERES STRATEGJIK, VMRO TË BASHKËNGJITET NË RRUGËN EUROATLANTIKE
Për Arsovskin nuk ka dyshime se takimi i liderëve është me qëllim të “kthjellimit” të VMRO-DPMNE-së për t’u bashkangjitur në rrugën euroatlantike të vendit dhe të ndalojë me pengesat, edhe pse Arsovski nuk beson se kjo mund të ndodhë. Arsovski madje paralajmëron se shumica parlamentare duhet prej tani të kërkojë zgjidhje për bllokimin eventual në të ardhmen nga kreu i shtetit, Ivanov.
“Unë mendoj se në gjashtëmujorin e dytë mund të paraqiten shumë probleme në skenën politike, si për shembull presidenti Ivanov të mos e nënshkruajë Kodin e ri Zgjedhor, të mos e nënshkruajë Ligjin për ratifikimin e rezultateve të referendumit. Ka shumë pengesa të cilat mund të dalin në sipërfaqe në këtë drejtim dhe normalisht se mungesa e dialogut politik do të vështirësojë dhe komplikojë edhe më shumë situatën politike. Vlerësoj se ne ndodhemi në një situatë të jashtëzakonshme, ku nuk besoj se Maqedonia do të ketë shans të dytë për anëtarësim në NATO dhe BE, andaj vlerësoj se partitë politike të cilat nuk do ta gjejnë veten në trenin e së ardhmes evropiane, kuptohet se do të lihen në anën e gabuar të historisë dhe normalisht se do të “shkelen” nga vullneti i madh i shumicës parlamentare”,- theksoi analisti politik, Petar Arsovski.
Për shkak të bllokimit të VMRO-së për zgjedhjen e anëtarëve të KShZ-së, dje Kuvendi miratoi nevojën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor me të cilën parashikohet zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të KShZ-së të bëhet me shumicë të thjeshtë. Arsovski u bën thirrje liderëve politikë që të reflektojnë ndaj interesave nacionale dhe strategjike të vendit dhe rëndësinë e mbajtjes së referendumit. (Rexhep Qamili, TVM2)
