Kuvend, deputetët votojnë rendin e ditës pa opozitën. Xhaferi e shtyn seancën për nesër

18.07.2018 18:09

Për shkak të mungesës së kuorumit, seanca kuvendore e cila në rend dite i kishte ndryshimet në Kodin Zgjedhor....

Për shkak të mungesës së kuorumit, seanca kuvendore e cila në rend dite i kishte ndryshimet në Kodin Zgjedhor, filloi me vonesë, pas çka pas disa kritikave dhe propozimeve kaloi edhe rendi i ditës.

Fillimisht në seancë nuk ishin të pranishëm deputetët e opozitës të cilët deklaruan se nuk pajtohen me ndryshimet e propozuara sepse janë marrë pa konsultim dhe pa asnjë mbështetje. Nga VMRO thanë se ky regjim i mosinkuadrimit të opozitës ka qenë praktikë e shekullit të kaluar. Zhaklina Peshevska tha se dje Qeveria sërish ka ndërhyrë në punën e Kuvendit, me çka janë shkelur parimet kushtetuese.

“Dje treguat shembull klasik për mosrespektimin e opozitës dhe jo vetëm. Dje vërtetuat mosrespektim të ligjeve që nuk e di për të satën herë në këtë Kuvend i keni shkelur. Dje nënvlerësuat popullin maqedonas sepse e nënvlerësuar inteligjencën e tyre. Konstruktivitetin tonë dje e keqpërdorët dhe me këtë shkatërruat çdo pozitë për bashkëpunim. Karakteristikë e juaja në Kuvend është shtypja e ligjeve me keqpërdorimin e flamurit të BE-së. Dje u vërtetua sjellja autoritative e Qeverisë në punën e Kuvendit, u shkel parimi kushtetues për sundimin e së drejtës dhe parimi i ndarjes së pushtetit në ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”,- deklaroi Peshevska Zhaklina nga VMRO-DPMNE.

Duke iu përgjigjur kritikave të deputetes së VMRO-DPMNE-së, kryeparlamentari Xhaferi tha se është ligjore që Qeveria të propozojë ndryshime ligjore dhe kjo nuk do të thotë se është keqpërdorur autoriteti i Kuvendit.

Ajo që Qeveria në mënyrë autoritative manipuloi dje me Kuvendin nuk është e vërtet për shkak se propozues i autorizuar mes të tjerëve është Qeveria. Në kohë të rregullores, propozimi i parashtruar për këtë ligj dhe sipas kompetencave kryetari i Kuvendit në afat prej tre ditëve ose menjëherë pasi të marrë propozimin tua dorëzojë juve. Nëse vërtetohet se është dorëzuar në kohë, në rend dite dhe u është dorëzuar juve, nuk do të thotë që Kuvendi në mënyrë autoritative është keqpërdorur nga Qeveria”,- theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.

Nga LSDM thonë se deputetet e VMRO-DPMNE-së kanë obligim ndaj qytetarëve që të respektojnë marrëveshjen e majit dhe të zgjidhet KShZ dhe me këtë të mundësohet mbajtja e referendumit, ku qytetarët do të keni të drejtën e vendimit.

“Ndryshimet në Kodin Zgjedhor që u bënë në maj me pajtueshmëri të të gjitha partive politike, parashihnin dy të tretat e shumicës dhe obligim që Komisioni Shtetëror Zgjedhor të zgjidhet në afat prej 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve. VMRO me sjelljes e saj e theu këtë marrëveshje dhe me këtë pengon zbatimin e ligjit. Për këtë arsye kjo shumicë parlamentare ka për obligim ndaj qytetarëve të Maqedonisë të mundësojë formimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe zbatimin e ligjit”,- tha Tomisllav Tuntev nga LSDM.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme Qeveria solli vendim që të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor, me çka parashihet që përbërja e Komisioni Shtetëror Zgjedhor të zgjidhet me 61 deputetë dhe me 81, siç është aktualisht. Ky propozim qeveritar erdhi pasi opozita e VMRO-DPMNE-së  filloi të bllokojë zgjedhjen e përbërjes së përkohshme të Komisionit Shtetëror Zgjedhor. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)