Maqedoni
Sindikata e “Jugohromit” kritikë ndaj “Eko Guerillën”: të dhëna paushall për pasojat nga “Jugohromi”
19.07.2018 15:13
Sindikata e të punësuarve në kombinatin “Jugohrom”, me tone kritike ndaj sektorit joqeveritar, e sidomos ndaj “Eko Guerillës”...

Sindikata e të punësuarve në kombinatin “Jugohrom”, me tone kritike ndaj sektorit joqeveritar, e sidomos ndaj “Eko Guerillës”, e cila, sipas tyre, po paraqet qëndrime tendencioze për ndotjen dhe pasojat që shkaktohen nga puna e kombinatit.
Sektori civil po paraqet të dhëna paushall për ndotjen e ajrit që shkaktohet nga puna e “Jugohromit”, thonë sindikalistët e të punësuarve të kombinatit.
“Shoqatat qytetare dhe ekologjistët janë më të shqetësuarit për kinse punën negative të “Jugohromit” ndaj ambientit dhe edhe pse tanimë dy vite nuk punon kombinati, ata nuk ndalen së plasuari në opinion informata paushall për pasojat nga puna, përkatësisht sikur ata janë të interesuar të vazhdojë kombinati të mos punojë, që është në kundërshtim të interesave të punëtorëve”,- tha një e punësuar në “Jugohrom”.
“Që të shohim nëse “Jugohromi” është shkas për zvogëlimin e grimcave PM në Tetovë me 60 %, ne kemi përpunuar të dhëna në bazë të nivelit vjetor për të njëjtën periudhë edhe në tre pika matëse. E kemi marrë Tetovën si qytet më i ndotur, Kërçovën si qytet mesatarisht i ndotur dhe Llazaropolen si vend me më pak grimca PM në nivel vjetor. Të dhënat janë se ulja është permanente për çdo vit në të gjitha tre pikat matëse, ashtu që në fund të vitit 20017 përqindja e uljes është pothuajse e njëjtë në Llazaropole dhe Tetovë. Besoj se pajtoheni se “Jugohromi” nuk ka ndikim edhe në Llazaropole”,- tha i punësuari në “Jugohrom”, Boris Ançevski.
“Siç është e ndarë Maqedonia në rajone, Tetova, përkatësisht rajoni i Pollogut, është në vendin e shtatë apo në vendin e parafundit me njerëz të prekur nga sëmundjet kancerogjene dhe njerëz me sëmundje në mushkri të bardha. Kjo nënkupton se edhe këto të dhëna që i nxjerr “Eko Guerilla” janë të pavërteta, jo të argumentuara dhe tendencioze”,- deklaroi i punësuari në “Jugohrom”, Bajram Amiti.
Pas mbylljes së kombinatit “Jugohrom”, mbi njëmijë persona kanë mbetur pa punë, thonë nga Sindikata e të punësuarve në “Jugohrom”, të cilët njëherit përsëritën kërkesën deri te qeveria që t’i mundësohet kombinatit të nis me punë dhe paralelisht të vazhdojnë punimet për vendosjen e filtrave, siç thonë, pasi bëhet fjalë për shumë mjete të nevojshme për realizimin e punimeve, prandaj edhe ka pasur vonesa në vendosjen e filtrave.
GYLTENE SINANI
