Maqedoni

Rritja e doganave për prodhimet bujqësore, Nikollovski: pres që Kosova të shfuqizojë vendimin

19.07.2018 15:43

Maqedonia pret që Kosova të tërheqë vendimin për rritjen e doganave për frutat dhe perimet të cilat do të futen në Kosovë...

Sipas ministrit të bujqësisë, Lupço Nikollovskit, vendimi i djeshëm i palës kosovare është i padrejtë dhe se pret që këta të fundit të shfuqizojnë zbatimin e kësaj mase. Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, ai nuk ka precizuar nëse Maqedonia do të vendosë kundërmasa.
 
"Shpresoj në dialog dhe racionalitet nga ana e Kosovës, veçanërisht nën frymën e asaj se tashmë ne si Qeveri kemi miratuar memorandum për bashkëpunim të cilin presim ta nënshkruajmë, nën frymën e procesit të Berlinit, në shkurtimin e të gjitha procedurave, në largimin e të gjitha barrierave tek të cilat është i fokusuar i gjithë rajoni. Pra, mendoj se vendimi është i pakuptimtë dhe shpresoj që në ditët e ardhshme i njëjti të shfuqizohet. Gjithashtu ne nuk do të ndalemi këtu, dua të theksoj se është planifikuar takim i përbashkët ku unë dhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, do të udhëtojmë për në Kosovë dhe në qoftë se nuk do të arrijmë marrëveshje, atëherë edhe ne do të jemi të detyruar të mbrojmë fermerët dhe prodhimet tona bujqësore”,- deklaroi ministri i bujqësisë, Lupço Nikollovski.
 
Vendimi e shkel marrëveshjen e CEFTA-s, edhe juridikisht edhe formalisht është i paqartë, vlerëson Nikollovski, ndërsa shtoi se po bëhen analiza intensive për këtë masë që nuk përmban shifra tarifore dhe nuk ka listë të saktë për atë se për cilat produkte është rritur dogana. Sipas të dhënave për vitin 2017, vlera e përgjithshme e eksportit të mallrave në drejtim të Kosovës është afër 6 milion euro. 
 
ZEKIRIJA MEXHITI