Maqedoni

Kuvendi miratoi deklaratën për anëtarësim të Maqedonisë në NATO

19.07.2018 16:41

Me 76 vota pro, pa asnjë të përmbajtur dhe pa asnjë kundër, parlamenti miratoi deklaratën për përkrahje të procesit paraqasës për anëtarësim të Maqedonisë në NATO...

Përveç beneficioneve të sigurisë dhe ato politike, anëtarësimi në NATO me vete sjell edhe të mira ekonomike, investime të huaja dhe ekonomi të zhvilluar, tha deputeti, Hari Lokvenec, nga LSDM.
 
Ai shtoi se nevojiten akoma reforma për të ndërtuar shtet evropian demokratik. 
 
“Maqedonia për momentin gjendet në udhëkryq. Jemi dëshmitarë  të procesit i cili ka mbështetje të padyshimtë nga e gjithë bota perëndimore demokratike. E kemi shansin të krijojmë ardhmëri për fëmijët tanë, për gjeneratat e reja”,- tha Hari Lokvenec nga LSDM.
 
Edhe VMRO–DPMNE anëtarësimin e Maqedonisë në NATO e vlerëson fitimprurëse për tërë shtetin dhe u zotuan se do të kontribuojnë në këtë drejtim, deklaroi deputeti, Dragan Danev.
 
Por, njëkohësisht, sipas tij, kjo nënkupton edhe obligime të mëdha. 
 
“Me të vërtetë është përfitim që të jesh anëtare e kësaj Aleance, por njëkohësisht është edhe përgjegjësi serioze. Anëtarësimi në NATO  nuk nënkupton se menjëherë nga lindja në jug dhe nga perëndimi dhe nga veriu do të hapen çezmat dhe në Maqedoni do të rrjedhë mjaltë e qumësht”,- tha Dragan Danev nga VMRO –DPMNE.
 
Danev përkujtoi se integrimi në NATO kërkon punë dhe obligime për të gjithë qytetarët në Maqedoni, sundim të ligjit, pavarësi në gjyqësor, zhvillim të arsimit dhe sistem shëndetësor.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU