Maqedoni
Debat në Kuvend, shkarkimi i Komisionit lë pezull Kodin Zgjedhor
19.07.2018 17:39
Propozimi i qeverisë për shkarkim të kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për vendimmarrje në procedurë administrative dhe marrëdhënie të punës...

Propozimi i qeverisë për shkarkim të kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Shtetëror për vendimmarrje në procedurë administrative dhe marrëdhënie të punës, ka përplasur deputetët e shumicës dhe opozitës, duke stërzgjatur debatin dhe shtyrë mundësinë e miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Opozita ka akuzuar se me shkarkimin e përbërjes aktuale të Komisionit do të tentohet që të emërohen njerëz të afërt me pushtetin, që të mbulohen procedurat e jashtëligjshme të qeverisë.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoran Ilioski, tha se shkarkimi i kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit është i jashtëligjshëm pasi që ata mund të shkarkohen vetëm me propozim të Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime.
“Cili nga këto gjashtë kushte të vëna në ligj është përmbushur, që qeveria të ngrisë propozim për shkarkim? Cili është qëllimi i qeverisë? I pengon ky Komision? Nëse shkarkohet ky Komision dhe në të emërohen kuadro partiak, ushtarëve partiakë atëherë pa u penguar do të mund që të sillni vendime, shkarkime, zhvendosje të njerëzve nga vendet e punës dhe njerëzit kur do të ankohen në komisionin tuaj, prisni që e njëjta t’i mbulojë proceduarat e jashtëligjshme që do t’i bëjë qeveria”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoran Ilioski.
Reagoi koordinatori i grupit parlamentar, Tomisllav Tuntev. Ai tha se me këtë diskutim opozita dëshiron që të pengojë miratimin e ndryshimeve të kodit zgjedhor.
“I qartë është qëllimi, nuk bëhet fjalë as për mënyrën e shkarkimit e as për Komisionin, por që të prolongohet seanca që mos të vijë në rend pika për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Kolegët e VMRO-DPMNE-së citojnë paragrafin një të nenit katër. Por, ekziston edhe paragrafi dy, ku thuhet se edhe qeveria mund të dorëzojë propozim për shkarkim të kryetarit dhe anëtarë të Komisionit”,- deklaroi deputeti i LSDM-së, Tomisllav Tuntev.
Për deputetët opozitarë i kontestueshëm është edhe momenti se Komisioni po ndërrohet duke u bazuar në raport të punës për vitin 2016. Sipas tyre, kështu po vihet në pikëpyetje puna e Komisionit, pasi që nga shkarkimi deri në emërimin e përbërjes së Komisionit do të krijohet vakum dhe do të grumbullohen shumë lëndë.
MERAL ISMAILI
