Maqedoni

MPB arreston personin A. L. për mashtrim gjatë shitblerjes së automjeteve

19.07.2018 17:58

Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur padi penale kundër personit me iniciale A. L., 32 vjeçar, për shkak të dyshimit për kryerje të veprës penale “mashtrim”...

Nga MPB thonë se i dyshuari ka mashtruar 17 persona gjatë shitblerjes së automjeteve të përdorura, duke shitur veturën e njëjtë disa herë.
 
Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski, thotë se mashtrimi është realizuar kryesisht në mënyrë të njëjtë në periudhën kohore nga muaji maj deri në korrik.
 
“Në cilësinë e autorizuesit të dy personave juridik, A. L. te notari në Shkup ka nënshkruar marrëveshje për shitblerje të personave fizikë, por nuk ka bërë pagesën e shumës së dakorduar. Përkundrazi, që atë ditë ose ditëve në vijim automjetet ua ka rishitur personave të tjerë fizikë dhe me këtë ka marrë përfitim të kundërligjshëm prej rreth pesë milion denarë”,- deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski.
 
Të dyshuarit i është shqiptuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditë.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI