Maqedoni
Referendumi, edhe takimi i dytë përfundoi pa marrëveshje
19.07.2018 18:36
Pa marrëveshje konkrete përfundoi edhe takimi i dytë i liderëve të katër partive më të mëdha politike për referendumin...

Pa marrëveshje konkrete përfundoi edhe takimi i dytë i liderëve të katër partive më të mëdha politike për referendumin për emrin dhe Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Liderët theksuan se për disa çështje janë pajtuar, ndërsa për disa nevojitet takim i ri i liderëve.
Kryeministri, Zoran Zaev, duke mos dhënë detaje nga takimi, theksoi prerë se amnisti për qëllime strategjike të vendit nuk do të ketë.
“Për qëllimet strategjike të Maqedonisë kompromise nuk ka! Nuk ka as amnisti, qoftë ajo e drejtpërdrejtë apo në mënyrë indirekte. Do t’i japim shans dialogut derisa kjo të jetë e mundur. Në ndërkohë, Parlamenti vazhdon me punë, me atë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të vazhdojnë të shqyrtohen në Komisionet Kuvendore. E theksoj edhe një herë se pres që në takimin e liderëve të ketë marrëveshje edhe për implementimin e KShZ-së. Këto janë pritshmëritë e mija dhe shumicës parlamentare. Ia jap shansin takimit të liderëve, që këto takime të sjellin vendime që do të nënkuptonin referendum të suksesshëm dhe me këtë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO si dhe datë për fillimin e bisedimeve me BE-në”,- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, hodhi poshtë pretendimet se opozita kërkon amnisti. Sipas Mickoskit, pyetja e referendumit akoma nuk është diskutuar dhe se pret që formulimi i saj të bëhet në takimet e radhës.
“I gjithë procesi duhet parë si rrumbullakim i tërësishëm i cili i parapriu etapës paraprake për të gjitha ato ligje reformatore për të cilat VMRO-DPMNE, pasi u kthye në parlament, i mbështeti me dy të tretat e votave. Hapi i ardhshëm ishte miratimi i Ligjit për financimin e partive politike dhe ndryshimet e Ligjit për qeverinë, me të cilat duhet të rregullohet koncepti për qeveri teknike sipas modelit të Marrëveshjes së Përzhinës. Ne si VMRO kërkojmë që të kemi zgjedhje korrekte dhe të drejta. Ky është thelbi të cilin VMRO-DPMNE e kërkon. Dhe pastaj, ashtu siç ishim marrë vesh, mes pushtetit dhe opozitës, në marrëveshjet e prillit, në rend të ditës ishte edhe formimi i KShZ-së. Qeveria, me aktin që bëri mbrëmë, dëshmoi se nuk ka kapacitet demokratik dhe është larg vlerave demokratike”,- deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Nga ana tjetër, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, vlerëson se argumentet akoma nuk janë shterur dhe se duhet unifikuar të gjitha palët me qëllim lehtësimin e procesit integrues.
“Ka dallime mes partive politike. Duhet të gjithë të angazhohemi të ketë sukses në implementimin e marrëveshjes që e kemi me palën greke. Mbetet të bisedohet në ditët në vijim. Pres të gjithë të veprojnë me guxim dhe të mos e lëshojmë këtë shans historik”,- tha kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lëvizja Besa e Bilall Kasamit mbetet e përkushtuar dhe konstruktive sa i përket proceseve me qëllim integrimin e vendit në NATO dhe BE.
“Bisedimet intensive mes aktorëve politikë janë me rëndësi dhe ne do të kontribuojmë që procesi të përfundojë me marrëveshje, KShZ të formohet dhe referendumi të jetë me sukses i organizuar dhe të gjithë qytetarëve t’u jepet liri ta shprehin vullnetin e tyre, me qëllim që Maqedonia të jenë anëtare e BE-së”,- theksoi kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
FITIM KRYEZIU
