Botë
Kitaroviç: shqiptarët ndihmuan Kroacinë, mbështesim integrimin e Shqipërisë në BE
19.07.2018 18:55
Presidentja e Kroacisë, Kolinda Kitaroviç, në ditën e dytë të vizitës së saj në Shqipëri, mbajti një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë...

Në prani dhe të përfaqësuesve të huaj dhe presidentit, Ilir Meta, presidentja kroate foli për marrëdhëniet e forta që ekzistojnë mes dy vendeve.
Kitaroviç foli për ndihmën që kanë dhënë shqiptarët për Kroacinë, ndërsa shprehu mbështetjen për integrimin e Shqipërisë.
“Kroacia nuk e harron sakrificën e shqiptarëve. Dy vite më parë u themelua në Zagreb Shoqata e artistëve. Miqësia jonë daton herët, që në kohën e Venedikut, pasi nuk ka fakte historike për konflikte midis dy vendeve. Shqiptarët janë të respektuar në Kroaci, në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë. Shqipëria është një partner mjaft i rëndësishëm jo vetëm strategjik, por edhe politik, kjo është e njohur edhe nga BE. Kroacia mbështet fuqishëm rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE dhe mirëpret të gjithë progresin e dukshëm që është bërë nga Shqipëria në përmbushjen e kritereve të kërkuara për anëtarësim në BE”,- deklaroi presidentja e Kroacisë, Kolinda Kitaroviç.
Pas kësaj fjale, para ligjvënësve shqiptarë presidentja e Kroacisë është pritur në kryeministri nga kreu i qeverisë, Edi Rama.
Sipas agjendës, presidentja kroate do të ketë një takim me kryetarin e opozitës, Lulzim Bashën, dhe me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn.
LULJETA NDOKA
