Ushtria serbe dyshohet se ka rrëmbyer fëmijë shqiptarë gjatë luftës në Kosovë
Tani, 14 vjet pas, ka dyshime se ushtria dhe policia serbe, përveç se vranë fëmijë shqiptarë, disa prej tyre i rrëmbyen, duke i dërguar në Serbi për adoptim në familjet serbe.....

Gjatë luftës në Kosovë, Serbia vrau edhe fëmijë. Ende rezultojnë të zhdukur edhe mbi 1700 persona. Por tani, 14 vjet pas, ka dyshime se ushtria dhe policia serbe, përveç se vranë fëmijë shqiptarë, disa prej tyre i rrëmbyen, duke i dërguar në Serbi për adoptim në familjet serbe.
Një gjë e tillë është pohuar në bazë të ankesave nga ana e familjarëve, drejtuar Komisionit për Persona të Zhdukur.
Prenkë Gjetaj, nga ky komision, ka thënë për gazetën “Tribuna”se një gjë e tillë nuk përjashtohet të ketë ndodhur, edhe pse nuk posedojnë shifra zyrtare të mjaftueshme.
Ai ka treguar një rast konkret të një familjeje nga Fushë Kosova, e cila pretendon se fëmijën e tyre të zhdukur gjatë luftës, e kanë parë në një televizion serb në një sekuencë të shkurtër.
"Ka qenë një rast nga Fushë Kosova, ku axha i fëmijës së zhdukur beson se, N.N, djali i vëllait të tij, është parë i gjallë në një sekuencë filmike të shkurtër në televizionin serb B92. Dhe tani ai beson se djali i tyre është i gjallë dhe i adoptuar nga një familje serbe".
""Fjala është për rastin e Lozhanit ku në autobusin e ushtrisë serbe i kishin futur civilët shqiptarë nga Fushë Kosova, të cilin e kishte goditur pjesërisht një predhë e aeroplanit të NATO-s" - ka thënë ndër të tjera Gjetaj.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë mbi 12 mijë shqiptarë, civilë, ndër ta shumë gra shtatzëna, të moshuar dhe fëmijë.
Shumë nga viktimat ishin larguar nga vendi i krimit dhe bartur me kamionë nga ushtria dhe policia serbe, për t’i hedhur më pas në Danub apo varrosur në varreza masive nëpër Serbi.
Përpjekjet për gjetjen e të zhdukurve vazhdojnë, por presioni i bashkësisë ndërkombëtare mbi Beogradin zyrtar për të treguar se ku ndodhen, gjithnjë ka qenë i pamjaftueshëm.
Çdo qeveri serbe edhe pas luftës nuk e kanë parë çështjen e të zhdukurve si rast human, por si çështje nga e cila mund të përfitojnë në raport me Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare.
