Maqedoni
Aktgjykimi “Trust”, gjashtë vite burg për Koçanin, tre për Aviroviqin. PPS, e kënaqur nga aktvendimi
20.07.2018 16:03
Gjykata Penale ka shqiptuar dënim me 6 vite burg për të akuzuarin, Seat Koçan, dhe tre vite burg për Vasilie Aviroviq në rastin “Trust”...

Gjykata Penale ka shqiptuar dënim me 6 vite burg për të akuzuarin, Seat Koçan, dhe tre vite burg për Vasilie Aviroviq në rastin “Trust”, ndërkaq ka liruar nga akuza Safet Vatiqin.
Këshilli Gjyqësor në krye me gjykatësen, Lidija Trajkovska Zimbovska, shqiptoi edhe dënime në të holla për “Firmat Transmet” dhe “Sileks” nga 2 milion denarë, ndërsa vendosi që t’u konfiskohet edhe prona në vlerë të tenderit të fituar rreth 17 milion euro dhe e njëjta të kthehet në buxhetin shtetëror.
Prokurori i PSP–së, Gavrill Bubevski, tha se janë të kënaqur nga vendimi gjyqësor për konfiskim, pasi që është hera e parë që konfiskohet pronë në vlerën e tenderit të fituar, ndërsa deri më tani janë siguruar rreth 90% nga shuma e përgjithshme që duhet të konfiskohet.
Bubevski tha se nuk do të kërkojë paraburgim për Koçanin, deri sa vendimi të jetë i plotfuqishëm pasi që i akuzuari paraprakisht ka dhënë garanci se nuk do të arratiset.
“Kemi garanci se ai nuk do të arratiset dhe për këtë është e pamundur që të përdoret ndonjë masë tjetër më e rreptë, në këtë mënyrë ai u mbrojt në liri. Në rastet tjera ku nuk kemi kësi lloj situate, kur vlerësojmë, propozojmë dhe gjykatësi shqipton paraburgim. Sa i përket konfiskimit, mund të përgëzoj gjykatën për këtë, kjo është diçka që ndodh për herë të parë në RM, bëhet fjalë për princip bruto të konfiskimit që bën prevenim më të madh për kësi lloj vepra penale në të ardhmen”,- tha Gavril Bubevski nga PPS.
Mbrojtja dhe pronarët e Firmës “Vato” nga Studeniçani, të cilët u liruan nga akuza, janë të kënaqur me vendimin gjyqësor.
“Kjo padyshim se është fitore e madhe e mbrojtjes, fitores dhe e drejtësisë. Respekt për gjykatësen”,- tha avokati mbrojtës, Vanço Mitev.
“Drejtësia erdhi në Maqedoni. Konkretisht për ne drejtësia është arritur. Aktgjykim i drejtë, flasim për ne jo për të tjerët”,- u shpreh pronari i Firmës “Vato”nga Studeniçani, Mujo Vatiq.
Të akuzuarit në rastin “Trust” ngarkohen me akuzën se me dokumente të rrejshme kanë fituar tenderin nga ELEM-i.
Tani për tani PPS nuk ka vendosur nëse do të ankimojnë vendimin e sotëm gjyqësor.
FLORIJE BELULI KAMBERI
