Maqedoni

Ademi: nota mesatare e maturës shtetërore 3.42

20.07.2018 16:31

Nota mesatare e të gjitha lëndëve të maturës shtetërore për vitin shkollor 2017/2018 është 3.42...

Siç bëri të ditur ministri i arsimit, Arbër Ademi, krahasuar me një vit më parë, rezultati i sivjetmë paraqet rritje të cilësisë pasi nota mesatare e vitit të kaluar ishte 3.39.
 
Kjo është dëshmi se edhe përkundër problemeve dhe sfidave të shumta me të cilat përballet arsimi, ky sektor është në rrugë të mirë për rritjen e cilësisë.
 
“Edhe kjo gjeneratë maturantësh iu nënshtrua verifikimit të dijeve përmes tre provimeve me vlerësim ekstern, një provim intern si dhe një punë projektuese në shkollë, si parakusht për vijimin e shkollimit të mëtutjeshëm, përkatësisht regjistrimin në universitete. Këtë vit për provimin në gjuhën amtare, përkatësisht në gjuhën në të cilën zhvillohet mësimi, u paraqitën rreth 15 mijë nxënës, prej të cilëve 10 mijë e 122 nxënës në gjuhën maqedonase, 4474 nxënës për provimin në gjuhën shqipe dhe 373 nxënës në gjuhën turke. Në bazë të të dhënave të përgatitura nga Qendra Shtetërore e Provimeve, nota mesatare arrin në 3.42”,- deklaroi ministri i arsimit, Arbër Ademi.
 
Nota më e lartë ka qenë në provimin e gjuhës turke 4.18, ndërsa nota më e dobët në provimin e gjuhës angleze 2.91.
 
Nota mesatare në gjuhën shqipe është 3,81, ndërsa në gjuhën maqedonase 3,66.
 
Ndërsa nga 43.331 nxënës të cilët iu nënshkruan maturës shtetërore, 2.512 apo 5,8%, nuk kanë marrë notë kaluese.
 
Ata që nuk arritën në afatin e qershorit të kalojnë provimin e maturës shtetërore, të njëjtën do të kenë mundësi ta bëjnë në afatin e gushtit, përkatësisht më 12, 13 dhe 14 gusht.
 
GYLTENE SINANI