Maqedoni

Komiteti ekzekutiv i VMRO-së, kritika për marrëveshjen e Prespës. LSDM: marrëveshja i siguron vendit ardhmëri evropiane

20.07.2018 17:17

Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së, në mbledhjen e mbajtur mbrëmë, ka lëshuar kritika të ashpra për referendumin dhe Marrëveshjen e Prespës...

Nga partia e Mickovskit thonë se nëse marrëveshja me Greqinë do të ishte e mirë, në referendum do të vendosej pa pyetje plotësuese. 
 
“Nëse marrëveshja do të ishte arritje historike për Maqedoninë, atëherë kryeministri, Zoran Zaev, nuk do të kishte nevojë që të ketë dilema që në pyetjen e referendumit të shtojë edhe NATO-n edhe BE-në, duke e keqpërdorur kështu besimin e qytetarëve ndaj faktorit ndërkombëtar”,- thonë nga VMRO-DPMNE.
 
Nga kjo parti kanë theksuar se i mbështesin vlerat europiane të perëndimit, por pa i pranuar politikat e gabuara dhe të dëmshme për vendin.
 
Ndaj këtyre qëndrimeve të VMRO-së ka reaguar LSDM-ja, nga e cila theksojnë se VMRO-DPMNE e din mirë se marrëveshja e çon Maqedoninë përpara, por atyre u intereson vetëm çështja personale dhe amnistia, prandaj përpiqen ta gënjejnë opinionin. 
 
"Marrëveshja e siguron të ardhmen evropiane, të ardhmen si pjesë e BE-së dhe NATO-s. Këto dy çështje janë të ndërlidhura mes vete. Nëse nuk do të ishte kështu, atëherë pse VMRO-DPMNE me vite negocionte për gjetjen e zgjidhjes për kontestin 25 vjeçar?",- pyesin nga LSDM.
 
Marrëveshja për kontestin 25-vjeçar me Greqinë e garanton identitetin e Maqedonisë, gjuhën maqedonase dhe veçoritë maqedonase, theksojnë nga LSDM, sipas të cilën është evidente se VMRO-DPMNE nuk mund të dalë nga matrica e ndarjeve, izolimit dhe konflikteve prandaj në çdo mënyrë përpiqet ta frenojë të ardhmen evropiane.
 
Përplasjet ndërpartiake mes VMRO-së dhe LSDM-së vijnë pas përfundimit pa marrëveshje të takimit të liderëve i cili pritet të vazhdojë këtë të diel apo të hënën e javës që vjen.
 
Në dy takimet paraprake, VMRO-DPMNE ka insistuar për qeveri teknike sipas modelit të Përzhinës para zgjedhjeve të ardhshme, qëndrim që kundërshtohet nga LSDM, me arsyetimin se nuk ekzistojnë rrethana për qeveri teknike, tek e cila në zgjedhjet e kaluara erdhi pas publikimit të përgjimeve. 
 
REJHAN BUSHI METAJ