Maqedoni

Atmosferë e tensionuar për Kodin Zgjedhor, përplasje mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend

20.07.2018 17:32

Me një atmosferë të tensionuar, me pushime dhe vërejte të shumta procedurale, zhvillohet debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor...

Me një atmosferë të tensionuar, me pushime dhe vërejte të shumta procedurale, zhvillohet debati për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që janë propozuar nga qeveri për miratim me procedurë të përshpejtuar.
 
Ndryshimet parashohin që zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të KShZ-së të bëhet me shumicë të thjeshtë, ose me 61 vota.
 
VMRO-DPMNE ankohet se këto ndryshime janë propozuar pa konsultimin e opozitës dhe akuzon se mazhoranca shkel sërish rregulloren e kuvendit, duke i vendosur ndryshimet në Komisionin për Çështje Europiane.
 
Ata kërkuan ndryshimet e parashtruara të zhvendosen në Komisionin amë për sistem politik, ndërsa “mollë sherri” ishte edhe flamuri europian i vendosur në këto ndryshime. 
 
"Debati për ndryshime në Kodin Zgjedhor duhet të mbyllet, sepse Komisioni për Çështjen Europaine nuk është komisioni amë, por është Komisioni për sistem politik. Nuk mund të hapet debat i amendamenteve këtu, por mundet vetëm të hapet debat i thjesht me ekspertë të ndryshëm",- deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
 
"Ndaloni të bëni cirk në Kuvend për çështje shumë të  rëndësishme! Kërkojmë të respektohet rregullorja e kuvendit, kushtetuta dhe ligjet! Në këtë komision për këto ndryshime as dje e as sot nuk keni hapur zyrtarisht debat kuvendor për amendamentet”,- theksoi Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
 
Deputetët e shumicës parlamentare kërkuan nga opozita të mos e pengojë procesin euroatlantik të vendit dhe u rikujtuan atyre se me politika destruktive dhe bllokuese nuk do të arrijnë amnisti për ish udhëheqësinë e kaluar të VMRO-së.
 
“Maqedonia nuk do të mbet peng  i krimit të VMRO-DPMNE-së. Qytetarët në referendum do ta thonë  fjalën e fundit.  Do të thonë po për të ardhmen europiane dhe për anëtarësim të vendit në BE dhe në NATO. VMRO-DPMNE shumë mirë e di se marrëveshja e nënshkruar me Greqinë e çon vendin përpara, por atyre i intereson interesi personal dhe amnistia, dhe për këtë arsye po tentojnë ta gënjejnë opinionin”,- theksoi Petar Atanasov nga LSDM. 
 
Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Çështje Europiane, Artan Grubi, tha se debati për ndryshimet e Kodit Zgjedhor zhvillohet në përputhje me rregulloren. 
 
“Ky ligj propozohet nga ana e qeverisë në mënyrë që të debllokohet procesi i realizimit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Greqinë dhe të debllokohet formimi i institucioneve të cilat duhet ta zbatojnë këtë marrëveshje, e para ndërkohë është KShZ, e cila duhet të themelohet, konstituohet dhe të zbaton referendumi, i cili është propozim zgjedhor i LSDM-së dhe i VMRO-DPMNE-së në lidhje me çështjen e emrit”,- u shpreh Artan Grubi nga BDI.
 
VMRO-DPMNE për këto ndryshime ka parashtruar rreth 400 amendamente, por shqyrtimin e vështirësonin vërejtjet e tyre të shumta procedurale.
 
Sipas rregullores, debati për ligjet e parashtruara me procedurë të shkurtuar edhe me flamur evropian zgjat maksimum dy ditë, prandaj debati maksimalisht mund të zgjasë deri mesnatën e së premtes.
 
Pas miratimit të Ligjit për ndryshime në Kodin Zgjedhor në lexim të dytë, i njëjti dërgohet në Komisionin Juridik Ligjvënës e më pas  vendoset në seancë plenare.
 
REXHEP QAMILI