Izraeli tërhiqet nga Gaza
Izraeli njoftoi tërheqjen e trupave të tij në pozicione mbrojtëse jashtë Rripit të Gazas.......

Izraeli njoftoi tërheqjen e trupave të tij në pozicione mbrojtëse jashtë Rripit të Gazas. Lëvizja mbërrin pak orë pas arritjes së një armëpushimi 3-ditor me Hamas-in të ndërmjetësuar nga negociatorët egjiptianë.
Armëpushimi hyri në fuqi në orën 08:00 me orën lokale, ora 07:00 me orën tonë. Izraeli thotë se objektivi kryesor i ofensivës disa-ditore, që është shkatërrimi i tuneleve nëntokësore dhe infrastrukturës së Hamas-it u arrit.
Konflikti 4-javor ka lënë pas të paktën 1800 palestinezë të vrarë, pjesa më e madhe civilë dhe 67 izraelitë, dy prej të cilëve civilë.
Armëpushimi i njoftuar së fundmi shihet si një mundësi e mirë për t’u ardhur në ndihmë mijëra palestinezëve në nevojë urgjente humanitare në Gaza, megjithatë mbetet për t’u parë respektimi i kësaj marrëveshje.
Pak ditë më parë, po me ndërmjetësimin e Egjiptit u njoftua një armëpushim i ngjashëm, por vetëm pak orë pas hyrjes në fuqi të tij luftimet rinisën sërish dhe bashkë me to edhe retorika e palëve se kush qëlloi e para.
