Osmani për ”Ethnos”, opozita po mban peng të ardhmen e shtetit
Zëvendëskryeministri për Çështjet Europiane, Bujar Osmani konsideron se marrëveshja e Prespës....

Zëvendëskryeministri për Çështjet Europiane, Bujar Osmani konsideron se marrëveshja e Prespës, është marrëveshje për gjeneratat e ardhëshme dhe jo e zgjedhjeve të ardhshme. Në intervistën për gazetën greke ”Ethnos”, ai shpreson se VMRO-DPMNE do të kuptojë që vendi nuk ka të ardhme pa BE dhe NATO, por shpreh bindjen e tij se edhe pa mbështetjen e opozitës procesi mund të jetë i suksesshëm, para së gjithash për shkak të besimit në zgjedhjen dhe vlerësimin e popullit.
“Opozita ende e mban peng këtë proces e me atë edhe të ardhmen e shtetit. Do të donim që këtë betejë ta zhvillojmë së bashku me opozitën, por, nëse nevojitet, do ta bëjmë atë edhe pa ta dhe do të kemi sukses. besoj se me mbështetjen e madhe të qytetarëve do të arrijmë ta bëjmë atë në kohën e parashikuar”, ka thënë Osmani për ”Ethnos”.
“KATHIMERINI”: DIPLOMATËT RUS, TENTIM PËR INFILTRIM NË SHËRBIMIN SEKRET GREK
Ndërkohë në shtypin grek janë paraqitur detaje të reja rreth përpjekjeve të diplomatëve rus për të imponuar ndikimin e Moskës në Greqi, me qëllim pengimin e marrëveshjes për emrin.
Siç shkruan gazeta greke “Kathimerini”, diplomatët rus jo vetëm që kanë tentuar të korruptojnë përfaqësues kishtarë dhe përfaqësues të autoriteteve lokale që të pengojnë marrëveshjen e emrit, por edhe kanë tentuar të infiltrohen në shërbimin sekret grek dhe në forcat e armatosura të vendit.
Sipas informatave të gazetës “Katimerini”, janë bërë përpjekje që të korruptohet një ish drejtor i inteligjencës dhe përfaqësues të Armatës. Sipas burimeve të Kathimerinit, përpjekjet e Rusisë që të zgjerojë ndikimin e saj në Greqi kanë filluar kohë më parë duke përfshirë një grek etnik, i cili është shpërngulur në këtë vend pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik. (Rexhep Qamili, TVM2)
