Greqi, të paktën 53 të vdekur nga zjarri në Athinë

24.07.2018 12:48

Kryeqendra greke është pushtuar nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën të paktën 53 të vdekur...

Kryeqendra greke është pushtuar nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën të paktën 53 persona, por autoritetet greke kanë frikë se numri i viktimave mund të jetë shumë herë më i lartë.

Ndërmjet viktimave ka shumë fëmijë. Të gjitha viktimat janë gjetur në zonën mes Rafinas dhe Nea Makri, sidomos në Mati dhe Kokkino Limanaki. Deri tani ka edhe 150 të plagosur.

“Shoh 26 trupa, vetëm 15 metra larg detit. Policia ka bllokuar zonën. Këta njerëz ndoshta po kërkonin shpëtim në det, por janë zënë në kurth nga flakët”, tha gazetari i Agjencisë greke të lajmeve, Pantelis Saitas. Në një situatë të tillë, vendet europiane janë mobilizuar për të ndihmuar shtetin grek. Qeveria e tij i ka kërkuar vendeve të tjera evropiane për helikopterë dhe zjarrfikës shtesë për të ndihmuar në përballimin e zjarreve. Italia, Gjermania, Polonia dhe Franca kanë dërguar avionëve për vënien nën kontroll të flakëve.

Zjarret e fundit në Athinën janë më vdekjeprurësit të paktën që prej vitit 2007, kur dhjetëra njerëz vdiqën në gadishullin jugor të Peloponezit.

Zjarret janë një problem i përsëritur në kryeqytetin grek dhe këtë herë flakët janë ndihmuar edhe nga erërat e forta. Por, zyrtarët vendas janë shprehur për AFP se mund të kenë qenë zjarrvënësit që kërkojnë të plaçkitin shtëpitë e braktisura ata që kanë nisur tragjedinë.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë apelon te qytetarët e vendit që të mos udhëtojnë në rajonet e Greqisë që aktualisht janë përfshirë nga zjarri.