Tragjedia nga zjarret në Atika, Qeveria greke shpall tre ditë zie
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, sot shpalli tre ditë zie kombëtare për viktimat që humbën jetën...

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, sot shpalli tre ditë zie kombëtare për viktimat që humbën jetën në flakët e mëdha të zjarrit në Greqi.
Tsiprasi, në fjalimin e tij televiziv për opinionin, tha se nuk ekzistojnë fjali të cilat do të përshkruanin ndjenjat e të gjithëve, shteti grek po përjeton një tragjedi të papërshkueshme.
“Sot Greqia është në zi, duke i kujtuar të gjithë ata që humbën jetët e tyre. Shpallëm tre ditë zie kombëtare, por nuk duhet të lejojmë që zia të na kaplojë, sepse orët në vazhdim janë orë të luftës së përbashkët dhe solidaritetit për t’i bërë ballë tragjedisë”,- tha Tsipras.
Kryeministri grek premtoi se të gjithë ata të cilët kanë pësuar, do t’u kompensohen të gjitha dëmet, por potencon se gjithashtu do të kërkohet edhe përgjegjësi.
Prokuroria Publike shtetërore greke ka njoftuar se për shpërthimin e zjarrit me përmasa tragjike do të hapet hetim i cili do të zbardhë shkaqet e shpërthimit të zjarrit, madje për gjithçka që është e lidhur me zjarret.
Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Xanakopulos, njoftoi se në spitalet e Athinës po përkujdesen 156 persona, prej të cilëve 11 janë në gjendje serioze dhe 16 fëmijë jeta e të cilëve nuk është në rrezik. Ai tha se Këshilli grek për Mbrojtje dërgoi anëtarë specialë të trajnuar të Armatës dhe Gardës Nacionale për të ndihmuar patrullat e mbrojtjes civile për pengimin e zjarreve. Këshilli vendosi që avionët grekë dhe aleatë duhet të mbledhin të dhëna nga pjesë të vendit që janë ende nën rreziqe të posaçme të zjarrit ose të vënies me qëllim të zjarreve. Masat janë nxitur nga spekulimet se fishekzjarret në Atikën lindore, si dhe disa zjarre në rajonin e Korintit, janë vënë me qëllim. (Besim Abdullahu, TVM2)
