Botë
Dhjetëra të vdekur nga zjarri në Greqi, mjaft njerëz figurojnë të zhdukur
24.07.2018 18:09
Digjet Athina, të paktën 60 njerëz vdiqën në zjarret në rajonin e Atikës, në krizën më të keqe të zjarrit të Greqisë në më shumë se një dekadë...

Numri i viktimave pritet të rritet në vijim, pasi ka mjaft njerëz që figurojnë të zhdukur dhe nuk dihet akoma asgjë për fatin e tyre, ndërsa më shumë se 100 njerëz të plagosur.
Shumë thirrje janë bërë për shërbimet e shpëtimit në kërkim të personave të zhdukur.
Si pjesë e një përpjekje të madhe shpëtimi, punonjësit emergjentë përdorën anije dhe helikopterë për të evakuuar një plazh.
Roja bregdetare njoftoi se ka shpëtuar më tepër se 700 persona nga plazhet e zonës së Rafinës, ndërkohë që ende mbetet pa sqaruar numri i personave që tentuan t’iu shpëtojnë flakëve duke hyrë në ujë.
Gjatë orëve të natës, në zonën Artemidhas, u gjetën 4 persona të mbytur, ndërsa dëshmitarë okularë thanë se në ujë janë hedhur dhjetëra persona, fati i të cilëve është i paditur.
Imazhe tronditëse vijnë nga plazhi i Argyri Akit në Nea Makri, ku qindra banorë të zonës dhe turistë hynë në det për të mbrojtur veten nga zjarri shkatërrues që po djeg Atikën lindore.
Me zjarrin që kishte përfshirë qytetin dhe shtëpitë e djegura, ata u mblodhën në plazh për t’i shpëtuar flakëve.
“Jemi këtu nga zjarri i tepërt, kemi ardhur këtu të kërkojmë ndihmë. U bllokuam nga tymi, nuk merrnim dot frymë brenda në shtëpi”,- tha një shqiptar,
“Te paktën katër trupa të djegur i kam parë në një rrugë të ngushtë bllokuar me makina”,- theksoi një banor i Atikës.
“Zjarri shumë shpejt është përhapur nuk e kemi kuptuar se çfarë po ndodh. Për herë të parë kam parë një gjë të tillë, por kemi shpëtuar kemi vrapuar deri tek deti. Shteti është dashur të reagojë më herët dhe më mirë”,- u shpreh një banor i Atikës.
Zjarret e fundit në Athinën janë më vdekjeprurësit të paktën që prej vitit 2007, kur dhjetëra njerëz vdiqën në gadishullin jugor të Peloponezit.
Por, si nisi zjarri në Athinë? Zjarret janë një problem i përsëritur në kryeqytetin grek dhe këtë herë flakët janë ndihmuar edhe nga erërat e forta.
Por, zyrtarët vendas janë shprehur se mund të kenë qenë zjarrvënësit që kërkojnë të plaçkitin shtëpitë e braktisura ata që kanë nisur tragjedinë.
REJHANE BUSHI METAJ
