Osmani priti ministrin gjerman, Rot. Osmani: referendumi i suksesshëm, një hap më afër integrimit
Ministri gjerman Mihael Rot, është pritur sot edhe nga zyrtarë tjerë të vendit, përfshirë zëvendëskryeministrin, Bujar Osmani...

Zëvendëskryeministri Osmani në takim fillimisht shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, reflektuar edhe përmes iniciativës “Procesi i Berlinit”.
Në vazhdim të takimit Osmani iu referua edhe rëndësisë së periudhës në të cilën gjendet vendi ynë në rrugën e saj euro-integruese, në kontekst të vendimit të mëhershëm të Këshillit të Evropës për kornizë kohore prej 12 muajsh, apo qershor të vitit 2019, për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Po ashtu fokusi u vendos në përgatitjen e negociatave përmes procesit skrining si dhe thellimin e reformave dhe dhënien e rezultateve konkrete në pjesën e gjyqësorit, shërbimet e sigurisë, administratës publike, duke mos e anashkaluar edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe të gjitha fushat tjera kyçe.
“Jemi të vetëdijshëm për kompleksin e procesit, që përfshin një pjesë të madhe të legjislacionit të Bashkimit Evropian, i cili duhet të transponohet në legjislacionin nacional, por këto janë përfitime që çojnë drejt transformimit themelor të vendit në shoqërinë demokratike evropiane, me një treg funksional ekonomik, institucione efektive dhe administratë profesionale”, – ka shtuar Osmani.
