Kumanovë, mbahet manifestimi kulturor "Mërgimtarë, vendlidja ju mirëpret"

25.07.2018 12:55

Me parakalimin e ansambleve pjesmarrëse nëpër rrugët e pjesës qendrore të qytetit....

Me parakalimin e ansambleve pjesmarrëse nëpër rrugët e pjesës qendrore të qytetit,  për të tetën here radhazi në Kumanovë u mbajt Manifestimi kulturor  “Mërgimtarë, vendlindja ju mirëpret”, në organizim të  shoqatës kulturore “Java Kulturore Shqiptare”.

Ansamblet  pjesmarrëse gjatë parakalimit nëpër qytet sollën emocione të posaçme tek qytetarët kumanovarë , e sidomos tek mërgimtarët tanë.  Ndërkaq në orët e mbrëmjes  programi  i Manifestimit vazhdoi  në sheshin e qytetit të Kumanovës. 

“Siç e dini këtë manifestim ia kemi kushtuar bashkëatdhetarëve tanë, të cilët na vijnë nga e mbarë diaspora, përmes këngëve e valleve shqipe ju dëshirojmë mirëseardhje dhe pushim të këndshëm në gjirin tuaj familjar. Bashkëpunimi me ansamblet shqiptare nuk ka të ndalur, ata vazhdojnë të nderojnë Kumanovën” – u shpreh Linda Gyler nga JKSH.

Edhe drejtori i Shoqatës Kulturore “Java Kulturore Shqiptare”, Agim Behluli u dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve e sidomos mërgimtarëve pasi siç tha ai ky manifestim organizohet për hir të tyre.

“Shpresojmë se edhe sonte sic do vit tjetër do të kaloni çaste të këndëshme, shpresoj se edhe në të ardhmen mërgimtarët tanë do të vijnë sa më në numër dhe do të na nderojnë këtë manifestim edhe më shumë, sëbashku me këngëtarët dhe ansamblet që do të marrin pjesë. Ky manifestim i kushtohet enkas mërgimtarëve tanë të cilëve u dëshirojmë mirëseardhje në vendlindje” – deklaroi drejtori i “JKSH”, Agim Behluli.

Në edicionin e tetë me rradhë të këtij manifestimi morën pjesë këngëtarë të estradës sonë si dhe ansamble nga Maqedonia e Kosova, ndër të cilat “ Emin Duraku “ e “ Duflla “ nga Shkupi, “ Jeta e Re “ nga Sllupçani dhe Qendra kulturore “ Kaçaniku “. Ndryshe manifestimi në fjalë u mbështet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë si dhe Komuna e Kumanovës. (Fatlum Aqifi, TVM2)