Ekonomi
Kosova tërheq pjesërisht taksën doganore, Maqedonia kërkon tërheqje të plotë. Takimi ministror në Beograd, trup operativ për tregti të lirë në rajon
25.07.2018 13:43
Pas apeleve të njëpasnjëshme të bëra ditëve të fundit nga Maqedonia dhe vendet anëtare të CEFTA-s

Pas apeleve të njëpasnjëshme të bëra ditëve të fundit nga Maqedonia dhe vendet anëtare të CEFTA-s, pala kosovare në mbledhjen e fundit qeveritare vendosi për të shfuqizuar masën prej 30 për qind për një pjesë të konsiderueshme të prodhimeve bujqësore.
Nga Ministria kosovare e Bujqësisë kanë njoftuar se pas këtij vendimi masa do të vazhdojë të vlejë për 7 produkte edhe atë për domatet, specat, mollët, dardhat, kumbullat, mjedrat dhe rrushin.
Shfuqizimi i pjesshëm i kësaj mase u mirëprit nga pala e Maqedonisë, derisa ministri i bujqësisë, Lupço Nikollvski, kërkoi shfuqizim të plotë të saj.
“Vlerësoj se me gjithë përkushtimin, angazhimin dhe energjinë që dhamë këto ditë, menjëherë kemi rezultat, pra kemi njoftim se autoritetet në Kosovë kanë marrë vendim për të hequr tarifën doganore për një pjesë të konsiderueshme të produkteve. Por, ne si Maqedoni pas të gjitha hulumtimeve që kemi bërë dhe dëmin që na e sjell kjo masë, kërkojmë që ajo të tërhiqet tërësisht, pasi është në kundërshtim me rregullat e CEFTA-s, por është në kundërshtim edhe me Marrëveshjen për stabilizim dhe asocim që Kosova ka me BE-në”,- tha ministri i bujqësisë, Lupço Nikollovski.
Edhe ministrat e bujqësisë nga vendet e rajonit dhe nga Beogradi i kanë bërë thirrje Prishtinës që të shfuqizojë menjëherë masën doganore prej 30 për qind për importin e prodhimeve bujqësore.
Pas takimit të zhvilluar në Beograd, në të cilin morën pjesë ministrat e bujqësisë nga Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi njoftuan se do të formojnë një trup operativ për të trajtuar në mënyrë të detajuar heqjen e të gjitha barrierave që kanë të bëjnë me tregtinë e lirë në rajon.
E derisa të gjitha apelet u përcollën nga Beogradi në drejtim të Kosovës, ministri kosovar nuk ishte i ftuar në takimin e ministrave të rajonit.
Prej vendosjes së taksës prek 30 për qind, Maqedonia prej 18 korrikut pothuajse aspak nuk eksporton fruta dhe perime në Kosovë.
ZEKIRIJA MEXHITI
