Maqedoni

Anëtarësimi i vendit në NATO, filluan bisedimet paraqasëse

25.07.2018 14:47

Maqedonia filloi edhe praktikisht bisedimet paraqasëse për anëtarësim në NATO...

Delegacioni i NATO-s, nën udhëheqjen e drejtorit për çështje evropiane dhe globale në aleancë, Xhejms Mekki, shprehu pritshmëritë e tij që Maqedonia të bëhet anëtare e 30 e NATO-s, që sipas tij, ky proces duhet të zgjasë 18 muaj.
 
Me përfaqësuesit e institucioneve relevante, Mekki tha se në kuadër të bisedimeve për anëtarësim do të bisedohet për çështjet politike, financiare, juridike, të sigurisë dhe mbrojtjes. 
 
“Do të flasim për reformat që i keni realizuar dhe ato që duhet t’i realizojë qeveria, si pjesë e procesit paraqasës të NATO-s. Kur të plotësohen procedurat e brendshme të marrëveshjes dhe vendimi i NATO-s të ratifikohet në të gjitha parlamentet nacionale të vendeve anëtare të aleancës, vendi juaj mund të bëhet anëtarja e 30 e NATO-s”,- deklaroi kryenegociatori për bisedime nga delegacioni i NATO-s, Xhejms Mekki.
 
Koordinatori nacional për në NATO, Stevo Pendarovski, tha se gjatë bisedimeve duhet të dëshmohet se Maqedonia praktikisht është e përgatitur për bisedime serioze dhe kjo të arrihet për kohë sa më të shkurtër.
 
“Dua të potencoj edhe një herë se detyra kryesore politike e qeverisë dhe e shtetit është marrëveshja jonë me Greqinë, që mbetet parakusht për anëtarësim të plotë dhe presim deri në fund të vitit të përfundojë faza e bisedimeve paraqasëse. Obligimet e tyre i kanë ndërmend t’i realizojnë, ndërsa ne duhet t’i realizojmë obligimet tona”,- u shpreh koordinatori nacional për NATO, Stevo Pendarovski.
 
Pendarovski sqaroi se gjatë negociatave nuk do të bisedohet për marrëveshjen e Prespës, që sipas tij është detyrë e shtëpisë, por vetëm për çështjet teknike, tipike për bisedimet paraqasëse për integrim në NATO. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU