Botë
Greqi, të paktën 80 viktima nga zjarri në Atika
25.07.2018 15:56
Numri i viktimave nga zjarri në Greqi ka arritur në 80, ndërsa mbi 180 persona janë të plagosur, mes tyre 10 persona po luftojnë me vdekjen...

Numri i viktimave nga zjarri në Greqi ka arritur në 80, ndërsa mbi 180 persona janë të plagosur, mes tyre 10 persona po luftojnë me vdekjen, bëjnë të ditur nga shërbimi i zjarrfikësve në Greqi.
Në mesin e viktimave është edhe një grua me origjinë shqiptare. Bëhet fjalë për Nica Leka, me origjinë nga Leshnica e Sarandës, e cila është gjetur e shkrumbuar në banesën e saj.
Po ashtu mbi 100 persona figurojnë të zhdukur. Numri më i madh i viktimave është regjistruar në Mati të Atikës, ku vullnetarët e Kryqit të Kuq gjetën 26 trupa njerëzish, shumë prej të cilëve nëna me fëmijë të përqafuar me njëri-tjetrin. Jo të paktë janë edhe ata që janë mbytur, duke u hedhur në det për t’i shpëtuar flakëve, siç ndodhi në zonën e Artemidhës.
Qindra vetë janë evakuuar me varka dhe helikopterë, ndërsa spitalet janë në gjendje emergjence. Por, aksionet humanitare po i vështirëson era e fuqishme e cila në disa pjesë arrin edhe në 100 kilometra në orë.
Kryetari i bashkisë së Rafinit ka shprehur shqetësimin e tij se numri i të vdekurve pritet të trefishohet. Forcat e ushtrisë dhe të zjarrfikëses janë mobilizuar për gjetjen e të zhdukurve. Ndërsa qeveria ka ndërmarre një plan masash për identifikimin e viktimave. Të mbijetuarit rrëfejnë tmerrin e përjetuar.
“Kur pamë se nuk ka rrugëdalje e lamë veturën në rrugë. E mora fëmijën trevjeçar dhe nisa të vrapoj drejt detit. Përfunduam afër asaj shtëpie, zbritëm afër plazhit dhe kërcyem në det”,- tha një qytetar.
“Isha dy orë e gjysmë në ujë, në errësirë dhe tym. Kishte edhe fëmijë edhe persona të moshuar që frikësoheshin. Shumë persona notuan më thellë me qëllim që të jenë më të sigurt, por dallgët i morën pasi ishin shumë të lodhur, prandaj u zhdukën 80 persona”,- theksoi një qytetar.
“U mbyllëm në shtëpi i mbyllëm dritaret, i lëshuam roletat dhe i mbuluam fytyrat. Tmerri zgjati një orë. Nuk mund ta përshkruaj se çfarë kemi kaluar”,- u shpreh një qytetar.
“Na kaploi paniku pasi tërë rruga ishte e bllokuar nga automjetet. Britma dhe tmerr, e pamë se si afrohej zjarri. Qielli ishte në errësirë”,- potencoi një qytetar.
Ndërkohë zjarret vijojnë në dy vatra, në zonën e Shën Theodhorit dhe Kavilarit. Tre helikopterë dhe dy avionë vazhdojnë operacionin e shuarjes së flakëve dhe mbi 100 automjete zjarrfikëse.
Mati, vendi që pati më shumë humbje jetësh dhe dëme do të jetë pa ujë për dy javë dhe pa energji elektrike për një muaj. Bilanci i dëmeve shënon 6.500 banesa te shkatërruara.
Tragjedia kombëtare ka pasur një sensibilizim shumë të madh të shteteve dhe njerëzve. Qindra vullnetarë ndihmojnë me ilaçe, ushqime dhe veshmbathje.
Qeveria e Maqedonisë ka formuar një trup koordinues për të ndjekur në bazë ditore situatën në Greqi dhe për të koordinuar ndihmën humanitare.
“Miratuam vendim që të dërgojmë ndihmë financiare në vlerë prej 6 milionë denarë në Qeverinë e Republikës së Greqisë me qëllim menaxhim me zjarret katastrofale që ndodhen në rrethinë të kryeqytetit në Athinë. Informatë plotësuese e këtyre 6 milion denarëve është se miratuam vendim të formojmë trup koordinativ që në nivel ditor do të ndjek situatën në Greqi dhe nëse është e nevojshme do të intervenojmë edhe me ndihmë plotësuese humanitare”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Për shkak të jetëve të humbura, kryeministri grek, Cipras, ka shpallur tre ditë zije.
Ndërkohë autoritetet nuk e kanë përjashtuar mundësinë që zjarri të jetë shkaktuar nga grupet kriminale.
Policia ka arrestuar një person të gjinisë mashkullore nën dyshimin për shkaktimin e zjarrit.
GYLTENE SINANI
