Maqedoni
Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime, votoi njëzëri propozimet për anëtarë të KShZ-së
25.07.2018 16:24
Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime më në fund e solli vendimin final dhe votoi njëzëri propozimet e partive politike për anëtarë të rinj të Komisionit Shtetëror Zgjedhor...

Puna e Komisionit zgjati vetëm tre minuta, sepse kjo ishte edhe një ndër pikat për të cilën u arrit marrëveshje në Takimin e Liderëve.
Kryetari i këtij komisioni, Ilia Dimovski, bëri të ditur emrat e shtatë anëtarëve të rinj të KShZ-së, në bazë të propozimeve të cilat i kanë dorëzuar për miratim partitë politike.
Sipas Dimovskit, për kryetar të këtij Komisioni VMRO-DPMNE e propozon Oliver Derkovskin, ndërsa zëvendëskryetare, Ditmire Shehun -si propozim i Bashkimit Demokratik për Integrim.
“Kryetar do të jetë Oliver Derkovski, nënkryetare Ditmire Shehu, ndërsa anëtarë Janaki Vitanovski, Radica Ristevska, Boris Kondarko, Elizabeta Apostolovska dhe Enver Salihu. Mund të konstatojmë se Komisioni për Zgjedhje dhe emërime vërtetoi vendimin për zgjedhje të kryetarit, zëvendëskryetarit dhe anëtarëve të rinj të Komisionit Shtetëror Zgjedhor”,- deklaroi kryetari i komisionit, Ilia Dimovski.
Propozimet e njëjta pas miratimit nga ana e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime, pritet të miratohen nga ana e kuvendit.
Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime ka qenë më shumë se 2 muaj i bllokuar për shkak të moskoordinimit të partive politike, e sidomos atyre të bllokut politik maqedonas.
Në bazë të marrëveshjes ndërpartiake, VMRO-DPMNE-së i ka takuar kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe një anëtar, LSDM ka tre anëtarë, ndërsa nga një anëtar kanë BDI dhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit.
KShZ ishte njëra nga tre pikat për të cilat liderët politikë ranë dakord në takimin e fundit të liderëve, ku përfshihen edhe Ligji për Mediat dhe Qeveria Teknike në bazë të Marrëveshjes së Përzhinës.
FITIM KRYEZIU
