Ekonomi
“Murat Tixharet”, nis ndërtimin e fabrikës në Maqedoni
25.07.2018 16:50
Kompania turke e specializuar për prodhimin e kabllove elektrike për industrinë e automobilave “Murat Tixharet”...

Kompania turke e specializuar për prodhimin e kabllove elektrike për industrinë e automobilave “Murat Tixharet”, nisi punimet për ndërtimin e fabrikës në Zonën Teknologjike Industriale të Zhvillimit Shkup 2.
Kompania planifikon të investojë 6.6 milionë euro për ndërtimin e një impianti të prodhimit të kabllit me një sipërfaqe prej 18.000 metrash katrorë.
Kompania planifikon fillimisht të hapë 300 vende të reja të punës, ndërsa në të ardhmen numri i të punësuarve planifikohet të arrijë në 500.
“Ne jemi të lumtur dhe krenarë si një kompani turke, e cila përfaqësohet përmes objekteve të prodhimit, zyrave komerciale dhe objekteve në Amerikë, Meksikë dhe Kinë, që kemi shtuar edhe këtë investim në Shkup. Ne jemi krenarë të kalojmë këtë hap në ligën më të rëndësishme botërore”,- tha drejtori i Kompanisë "Murat Tigjaret", Ejup Gylsoj.
“Ata kanë mbi dy mijë të punësuar dhe në Maqedoni do të kenë në fazën e parë 300 punonjës me një investim prej shtatë milionë euro me ambicie që ky numër të të punësuarve që arrijë në 500”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Kontrata për dhënien me qira të tokës ndërtimore në Zonën Teknologjike Industriale të Zhvillimit Shkup 2 u nënshkrua në dhjetor të vitit të kaluar nga drejtori i Drejtorisë për Zonat e Zhvillimit Industrial Teknologjik, Aleksandar Mlladenovski, dhe drejtori i përgjithshëm i Kompanisë “Murat Tigjaret”, Ejup Gylsoj. Fabrika pritet të ndërtohet deri në fund të vitit 2018.
SEDAT SELIMI
