Ekonomi
Gjorçev: a është e mundur rritja prej 3.2% e BPV-së? Zaev: rritja prej 3.2%, e mundur pa krizë politike. Gjorçev: a ka keqpërdorim të mjeteve nga fondi i inovacionit? Zaev: komisioni i huaj ka ndarë ndihmat për kompanitë
26.07.2018 15:13
Ekonomia zuri një vend të posaçëm në seancën kuvendore kushtuar pyetjeve të deputetëve...

Opozita kërkoi llogari nga pushteti për realizimin e investimeve kapitale. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev, pyeti se si mund të shpreson qeveria të arrijë rritje prej 3.2% ku në kuartalin e parë të vitit ka pasur rritjen më të ulët në rajon me vetëm 0.1%.
“Kemi ekonominë më të dobët në Evropë, për momentin me 0.1% rritje, kemi vetëm 16% realizim të projekteve kapitale në gjashtë mujorin e parë, 16%. Mos dhashtë Zoti të ketë pasur luftë apo ndonjë tërmet të kishte goditur Maqedoninë, nuk do të kishin pasur rezultate më të dobëta. 16% është fiasko kolektive e qeverisë”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev.
Problemi i mosrealizimit të investimeve ka qenë mospasja e projekteve nga qeveria e kaluar, u përgjigj Zaev. Ai është optimist se deri në fund të vitit Maqedonia do të ketë rritje prej 3.2%, duke u bazuar në ambientin e mirë që ka krijuar qeveria e tij.
Në buxhet ka para, gjendja është stabilizuar dhe nëse në të ardhmen nuk do të ketë kriza politike, rritja ekonomike do të jetë aq e madhe sa që do ta ndjejnë të gjithë qytetarët, tha Zaev.
“Problemi më i madh ka qenë se nuk kishte projekte. Edhe ato projekte që ishin duhej të korrigjoheshin. Një nga ato projekte është edhe projekti Kërçovë- Ohër. Rritjen e planifikuar prej 3.2% do ta arrijmë duke pasur parasysh edhe rritjen prej 0.1% në kuartalin e parë. Pra, janë pozitive pritjet në kuartalin e dyte, tretë dhe të katërt. Gjithë ky ambient, shpresat për integrime të Maqedonisë vërtetojnë interesin serioz për investime të jashtme, por edhe të kompanive vendore në Maqedoni”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Deputeti Gjorçev po ashtu pyeti kryeministrin për rëniet në indeksin e inovacioneve, duke akuzuar se faj për këtë kanë funksionarët qeveritarë të cilët kanë keqpërdorur mjetet që lëshon Fondi i Inovacionit.
“Përse kemi rënie në listën e inovacioneve, për shkak se fondi juaj i inovacioneve i ndan paratë në atë mënyrë që e dimë të gjithë. Nuk flasim këtu për kreditë, nuk flasim për subvencione, këtu flasim për njerëz të cilët kanë fituar nga 150 – 200 – 300 mijë euro, vetëm për shkak se janë të afërt me pushtetin, vetëm për shkak se në kabinetet e tyre qëndrojnë njerëz të cilët i marrin vendimet”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllarko Gjorçev.
Kryeministri Zaev u përgjigj se për herë të parë në Maqedoni kompanitë vendore marrin ndihmë shtetërore. Ai tha se procesi i ndarjes së ndihmave është bërë nga komision i jashtëm, ndërsa përshëndeti atë që funksionarët e tij kanë hequr dorë nga masat që kanë fituar.
“Unë e përshëndes mënyrën etike të sjelljes kur tërhiqen kompanitë në të cilat në krye kanë persona qeveritarë, për shkak se ligjërisht ajo është e lejuar, por në mënyrë etike nuk është e lejuar për një arsye të thjeshtë, se mendohet se ka ndikim në këtë proces. Vendimin e ka marrë Komisioni nga përfaqësues ndërkombëtarë, me përvojë të madhe, ku bukvalisht janë nënvizuar kriteret dhe janë sjellë vendimet. Për shkak të transparencës, menjëherë personat qeveritarë i morën veprimet e duhura”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Gjithashtu opozita pyeti se kush do të marrë përgjegjësi nëse Maqedonia do të bie poshtë në rangimin e “Doing Bussines”, por kreu i qeverisë tha se Ministria e Financave ka bërë një punë të madhe në atë drejtim, andaj nuk pret që do të ketë rënie të Maqedonisë në këtë raport.
ERSAN PAJAZITI
