Ekonomi
Masa doganore, nesër tentohet zgjidhje në Prishtinë. Tregtarët: çmimet shumë të ulëta, të hiqet masa
26.07.2018 16:04
Nesër në Prishtinë udhëton ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili me autoritetet kosovare do të tentohet t’i jepet fund problemit për masën doganore...

Nesër në Prishtinë udhëton ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili me autoritetet kosovare do të tentohet t’i jepet fund problemit për masën doganore prej 30 për qind për importin e prodhimeve bujqësore në drejtim të Kosovës.
Vendimi i djeshëm i qeverisë së Kosovës për të hequr tarifën doganore vetëm për një pjesë të frutave dhe perimeve, vazhdon të kundërshtohet nga tregtarët në Maqedoni.
Edhe pse ky lehtësim fillimisht u përshëndet nga autoritetet e Maqedonisë, nga prodhuesit dhe tregtarët të cilët janë direkt të prekur nga ky vendim, kërkohet që e njëjta të shfuqizohet plotësisht sa më parë, pasi dëmet tashmë kanë filluar të ndjehen dukshëm.
Të anketuarit nga TVM2, tregtarët e produkteve bujqësore, theksojnë se kjo masë ka ndikuar në rënien e eksportit drejt Kosovës dhe për pasojë edhe uljen e çmimeve të produkteve bujqësore në tregun vendor, gjë që i dëmton më së shumti tregtarët dhe bujqit.
“Çmimet janë më lirë tani, duhet të hiqet kjo masë, pasi është bllokuar malli nëpër të gjitha anë. Nuk ka shitje as atje as këtu tek ne”,- tha një shitës.
“Nuk kuptoj unë asgjë nga këto gjëra, po siç e shihni punë nuk ka, dobët është. Çmimet janë shumë të ulëta”,- theksoi një shitës.
“Po, çmimet janë zvogëluar nga kjo masë dukshëm, ja të gjitha produktet kanë çmime më të lira, por tani kanë filluar edhe pushimet dhe është bërë edhe më keq me çmimet”,- u shpreh një shitës.
Por, blerësit i gëzohen kësaj mase, pasi çmimet e produkteve janë më të lira.
“Le të vazhdojë kjo masë, për arsye se kjo është më mirë për ne, çmimet do të mbesin më të lira. Le te jetë më mirë për popullin, pra më mirë le të mos e heq Kosova këtë masë, sepse çdo çmim do të rritet”,- deklaroi një qytetar.
Vendosja e kësaj mase tashmë është duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në tregtinë e këtyre produkteve, ndërsa vetëm gjatë ditës së djeshme asnjë kamion me prodhime bujqësore nuk e ka kaluar kufirin.
Nga Odat Ekonomike të vendit bëjnë thirrje që të arrihet sa më shpejt një marrëveshje rreth këtij problemi të krijuar ngase, siç thonë, prodhimet për të cilat është krijuar ky problem janë produkte që janë me afat të kufizuar të qëndrueshmërisë. Dëmi që ekonomia vendore mund pësojë nga kjo masë mund të shkojë deri në rreth 1.3 milion euro.
ZEKIRIJA MEXHITI
