Maqedoni

Osmani: në shtator fillon hapja e kapitujve 23 dhe 24; Bjornstad: nuk do të mungojë ndihma norvegjeze

26.07.2018 17:23

Qeveria tashmë ka përgatitur kalendar për procesin e skriningut. Nga shtatori fillon me hapjen e kapitujve, ku paraprijnë kapitujt 23 dhe 24...

Kështu deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
“Kemi kalendar preliminar të skriningut të kapitujve. Diku në shtator do të hapim kapitujt 23 dhe 24, pastaj në tetor 5 dhe 30. Procesi është lansuar në ditën që zoti Hahn ishte në mbledhjen e qeverisë dhe besojmë se në mbledhjen e ardhshme të qeverisë ne do të miratojmë planin dhe konceptin e organizimit të shteti për procesin e skriningut”,- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
Planin e organizimit të skriningut, Osmani e shpalosi pas takimit të tij me ambasadorin norvegjez, Arne Sanes Bjornstad, me çka ky i fundit përshëndeti suksesin e Maqedonisë drejt eurointegrimit dhe siguroi mbështetjen e Norvegjisë, por theksoi se punën kryesore duhet ta bëjë vetë shteti.
 
“Ju uroj për suksesin e madh si Maqedoni në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në NATO. E gjitha ajo që mund të bëjmë është t’u ofrojmë juve ndihmë si shtet, megjithatë e tërë puna kryesore dhe aktivitetet duhet të bëhet nga Maqedonia dhe shoqëria e Maqedonisë. Ne jemi këtu për çdo nevojë që do të keni për ndihmën tonë. Jemi të gatshëm për çdo ndihmë për qeverinë dhe Sekretariatin për Çështje Evropiane”,- deklaroi ambasadori norvegjez, Arne Sanes Bjornstad.
 
Zëvendëskryeministri Osmani me këtë rast tha se në kohën kur Maqedonia përballet me vrullin e angazhimeve politike, këto bashkëpunime janë të nevojshme dhe efektive.
 
Zëvendëskryeministri Osmani dhe ambasadori norvegjez nënshkruan memorandum-bashkëpunimi, me çka Norvegjia do të  ndajë 3- 5 milion euro ndihmë financiare për SEÇ-in, për implementimin e reformave prioritare urgjente, parakushte për anëtarësim në BE. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU