Maqedoni

55 vjet nga tërmeti katastrofal në Shkup, ekspozitë “55-vjetori i ndihmës amerikane”

26.07.2018 17:42

Sot mbushen 55 vjet nga tërmeti katastrofal i Shkupit të vitit 1963 që goditi kryeqytetin e Maqedonisë – Shkupin...

Me këtë rast, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup hapi ekspozitën dokumentare me temën “55 –vjetori i ndihmës amerikane për Shkupin”.                                                                                                                
“Ndër ndihmat më të mëdha që Shkupi i pranoi në atë kohë ishin ndihmat amerikane që erdhën pas letrës së kabinetit të presidentit Kenedi. Bëri që Shkupi të ndjehet se edhe Amerika e largët ishte ndarë, pas Luftës së Dytë Botërore përsëri na kujtoka”,- tha drejtori i ITKSh-së, Skender Hasani.
 
“Para 55 viteve, Shkupi u godit me një termet shumë të madh në histori. Amerika ishte vendi i parë prej të gjithave 78 vende që e ndihmuan Maqedoninë nga kjo katastrofë. Ushtria amerikane kishte kontribuar me hapjen e 120 spitaleve. Gjithashtu kanë hapur edhe vende për strehim për anëtarët që kanë humbur të afërmit e tyre”,- theksoi përfaqësuesi i Ambasadës së Amerikës, Benjamin Lingeman.
 
Edhe ministri i arsimit, Arbër Ademi, tha se ekspozita dokumentare flet për ndihmën amerikane që ka pranuar Shkupi në vitin 1963. 
 
“Organizata e Kombeve të Bashkuara botërore me seli në Nju Jork menjëherë ndërmori masa për ndihmë konkrete të rikthimit të jetës në Shkup, të mbuluar nga gërmadhat. Krahas shumë vendeve dhe mike të botës, ShBA ndër të parët u vu ballë aksioneve humanitare për ta ndihmuar Shkupin dhe qytetarët e saj. Populli solidar amerikan dha kontribut të jashtëzakonshëm për Shkupin për çka flet edhe ekspozita e sotme dokumentare”,- deklaroi ministri i arsimit, Arbër Ademi.
 
Ndryshe, më 26 korrik të vitit 1963, në orën 5 e 17 minuta, Shkupi u trondit nga një tërmet i fuqishëm, ku si pasojë jetën e humbën mbi 1.070 persona, ndërsa mbi 3.000 të tjerë u lënduan.
 
Tërmeti shkatërroi 15.800 ndërtesa, ose mbi 85 për qind të kapaciteteve banesore, ku mbi 200 mijë persona mbetën pa kulm mbi kokë.
 
REJHANE BUSHI METAJ