Botë
Thaçi: çështja e Luginës së Preshevës, pjesë e dialogut
26.07.2018 18:14
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një takimi me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, ka thënë se çështja e Luginës së Preshevës...

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një takimi me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, ka thënë se çështja e Luginës së Preshevës do të prezantohet në tryezën e bisedimeve në Bruksel në fazën finale të dialogut me Serbinë.
Por, që realizimi i dëshirës së qytetarëve të Luginës së Preshevës që lugina të bashkohet me Kosovën është gati e pamundur.
“Kam premtuar se do të vazhdojmë të takohemi dhe të analizojmë me seriozitetin më të madh të përgjegjësisë politike që në kuadër të vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi dhe në kuadër të korrigjimit të kufijve të prezantoj edhe kërkesën e institucionalizuar të liderëve të Luginës së Preshevës. Se a do të realizohet dëshira e qytetarëve të Luginës së Preshevës, do të jetë shumë e vështirë, pothuajse e pamundur, por se a do të paraqitet në tryezën e bisedimeve, këtë shumë shpejtë do ta merrni vesh”,- deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Sipas ish-kryetarit të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa, tre komuna me shumicë shqiptare duan të konfirmojnë se shqiptarët e Luginës kanë një kapital politik i cili duhet të jetësohet. Për Mustafën është e pranueshme moszgjidhja e çështjes së Luginës në kuadër te dialogut.
“Në vigjilje të përmbylljes së bisedimeve Kosovë – Serbi pse të mos zgjidhet problemi i Kosovës lindore, në këtë fushë ne jemi zotuar të respektojmë vullnetin politik të qytetarëve të Luginës së Preshevës të shprehura në referendumin e vitit 1992”,- theksoi ish kryetari i Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa.
Kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, është shprehur se asnjëra nga tri marrëveshjet e nënshkruara me faktorin ndërkombëtar nuk kanë dhënë rezultate.
Sipas Kamberit, Lugina nuk mund të mbetet anash sepse nuk mund të ketë stabilitet në Ballkan.
“Kjo demokraci që thuhet se po evoluon në Serbi, nuk shihet në Luginën e Preshevës”,- u shpreh kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi.
Të gjithë bashkëbiseduesit ranë dakord që as autoritetet e Kosovës, por as edhe ato të Luginës nuk mund t’i mbyllin sytë para padrejtësive që Serbia mund tua bëjë qytetarëve të Luginës së Preshevës.
MERITA GASHI
