Maqedoni

Mançevski: të dorëhiqen anëtarët e Këshillit të RTVM-së

26.07.2018 18:30

Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski, sërish sot i ftoi anëtarët e Këshillit të RTVM-së që të japin dorëheqje...

Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski, sërish sot i ftoi anëtarët e Këshillit të RTVM-së që të japin dorëheqje. 
 
“Më çudit fakti që anëtarët e Këshillit Programor të RTVM-së akoma nuk iu përgjigjen thirrjes sime që të japin dorëheqje. Një Servis Publik i pavarur deri më tani do të gjente mënyrën për t’iu përgjigjur thirrjes sime për t’u dorëhequr, për shkak që e kanë sjellë RTVM-në në një pozitë katastrofale. Heshtja nga ana e tyre  tregon gjithçka. Edhe një herë u bëj thirrje që të japin dorëheqje dhe të mundësojnë që të realizohen reformat në media”,- u shpreh ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.
 
Ministri, Damjan Mançevski, konsideron se vetëm në këtë mënyrë  do të mund të zhbllokohen proceset reformatore dhe miratimi i Ligjit të ri për shërbime audio dhe audiovizuele.
 
Arsyeja e vetme që VMRO-DPMNE po mban peng miratimin e ligjit  është që  të vazhdojë t’i mbajë njerëzit e saj në Këshillin Programor, ka shtuar Mançevski.
 
Ai po ashtu thotë se plan “B” ekziston dhe se i njëjti do të bëhet i njohur për opinionin vetëm nëse ka nevojë. Ministri Mançevski deklaroi se bisedimet në këtë temë tani për tani janë pezulluar, por tha që ka amendamente të propozuara nga opozita të cilat janë të pranueshme për shumicën parlamentare.
 
Pengesa kryesore akoma mbetet insistimi i VMRO-DPMNE-së që anëtarët e Këshillit të RTVM-së si dhe Këshillit të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuele të mbesin në pozitat e tyre deri në përfundimin e mandatit.   
 
GAZMEND REXHEPI