Botë

Greqi, rritet në 84 numri i të vdekurve nga zjarri, pas zjarrit Athina goditet nga moti i rëndë

26.07.2018 18:47

Numri i viktimave nga zjarret në Greqi ka arritur në 84, bëjnë të ditur autoritetet...

Skuadrat e shpëtimit po shkojnë derë më derë në kërkim të trupave dhe nuk është çudi që bilanci i viktimave të rritet akoma më shumë, pasi një numër i madh personash konsiderohen ende të zhdukur.

Në mesin e viktimave është edhe një shqiptare, ndërsa nuk dihet fati i dy shqiptarëve të zhdukur.

Tre shqiptarë, mes tyre 2 fëmijë u lënduan nga zjarret dhe u shtruan në spital, por gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Bilanci paraprak flet për më shumë se 6000 prona të dëmtuar, nga të cilat 720 banesa janë shpallur të pabanueshme dhe të rrezikshme për t’u strehuar.

Në total janë mbi 1000 shtëpi, dyqane dhe magazine të shkatërruara plotësisht.

Qeveria greke njoftoi se do të krijojë lehtësi fiskale për të prekurit nga zjarret, ndërsa në ditët e ardhshme do të parashtrojë një plan rimëkëmbjeje të zonës. 

Pas zjarrit katastrofal, sot paradite pjesa veriore e Athinës është goditur nga moti i rëndë. Janë shkaktuar vërshime të mëdha ku nën ujë kanë ngecur qindra automjete ndërsa vozitësit vazhdimisht kërkojnë ndihmë. Me urdhër të policisë, për trafik janë mbyllur disa rrugë të vërshuara.

Po ashtu Një tërmet i shkallës 4,5 të Rihterit është ndjerë në ishullin grek Samos. Nuk raportohet për ndonjë të lënduar.