Çair, në disa rrugë janë ndërtuar korsi për biçikleta
Në disa rrugë të komunës së Çairit janë ndërtuar korsi për biçikleta....

Në disa rrugë të komunës së Çairit janë ndërtuar korsi për biçikleta. Kjo do t’u mundësojë përdoruesve të biçikletave që të lëvizin më lirshëm, por edhe do të nxis qytetarët që sa më tepër të përdorin biçikleta, gjë që do të ndikonte në ruajtjen e ambientit jetësor dhe zhbllokimin e komunikacionit rrugor.
Kryetari i komunës Çair, Visar Ganiu, së bashku me drejtorin e NP “Rrugë dhe Rrugica”, Senad Smailoviç, nga afër inspektuan punimet e bëra në rrugën “Brigada kosovare - maqedonase”. Ata paralajmëruan se punimet do të vazhdojnë edhe nëpër rrugët tjera të Çairit.
“Të gjitha këto korsi do të kenë lidhshmëri edhe me komunën e Butelit, kështu që do të bëhet një distancë e cila do të jetë në favor të bashkëqytetarëve tanë, ku do të mund edhe të rekreohen me biçikletat e tyre, por edhe ta përdorin biçikletën si mjet transporti për t’i kryer obligimet e tyre të përditshme”,- theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
“Tendenca jonë është që Shkupin ta shndërrojmë në qytet të biçiklistëve dhe këmbësorëve, megjithatë detyrë e jona është që këtë qytetarëve tua mundësojmë. Veç më punojmë në pjesën e rrugës Bit Pazar - Hristijan Todorovski-Karposh ta lidhim me rrugën Brigada Kosovare-Maqedonase, të vazhdojmë nëpër komunën Butel dhe ta bëjmë me të vërtetë një pjesë të mirë në të cilën biçiklistët do të mund të rekreohen në këtë pjesë të qytetit”,- theksoi drejtori i NP “Rrugë dhe Rrugica”, Senad Smailoviç.
Qytetarët edhe pse përshëndetën një projekt të këtillë, apeluan që projekti me korsitë e biçikletave të vazhdojë nëpër tërë Shkupin.
“Te stacioni i autobusëve nuk ka vend të hyjnë autobusët dhe e bllokojnë rrugën, e dyta nuk është komplet rruga, për shembull nëpër udhëkryqe nuk është mirë e definuar se nga duhet të shkojnë biçikletat dhe nga duhet të shkojnë automjetet. Tash nëse bëhet i gjithë qyteti, atëherë do të ketë sukses, e nëse jo, nuk kryen punë shumë”,- tha një qytetar.
“Është me të vërtetë e bukur kjo për biçikleta. Ka shtigje për ta, është bërë shkëlqyeshëm”,- theksoi një qytetar.
“Mirë është, na pëlqen, ne jetën e kemi kështu të shëtisim me biçikleta nëpër kontejnerë dhe na nevojiten shtigjet”,- u shpreh një qytetar.
Kreu i komunës së Çairit, Ganiu, gjithashtu paralajmëroi se në mbledhjen e këshillit do të propozojë që të ndahen vauçerë me nga 3000 denarë për pesëdhjetë banorët e parë të Çairit që do të blejnë biçikleta të reja. (Ersan Pajaziti, TVM2)
